Zv/kryeministri Ilir Meta, njëherazi dhe Ministër i Jashtëm, ka ftuar opozitën të jetë pjesë e komisionit hetimor për procesin zgjedhor të 28 Qershorit.

I sapokthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ndodhej për një vizitë zyrtare, numri dy i ekzekutivit deklaroi se selia rozë duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, Komisionit të Venecias ose organit të akuzës për hapjen e kutive të votimit, duke rikujtuar këtu dhe ofertën e bërë edhe pak ditë më parë nga kryeministri Berisha lidhur me ngritjen e një task-force për hetimin e zgjedhjeve.

Ilir Meta: “Qeveria do të jetë gjithnjë e hapur e qetë do të respektojë ligjin dhe vazhdimisht do t’i ftojë që komisionin që deshën, të vijnë të marrin shumicën, të marrin drejtimin e Komisionit. Duan të hapin kutitë, t’i drejtohen gjykatës Kushtetuese, t’i drejtohen komisionit të Venecias, duan një hetim më profesional, t’i drejtohen Prokurorisë së Përgjithshme. Qeveria do të vendosë fonde që Prokuroria të ketë mundësi për të angazhuar më shuam prokurorë për këtë çështje.”

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, zoti Meta komentoi dhe qëndrimin më të fundit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste për t’iu rikthyer protestave popullore.

Ilir Meta: “E gjithë kjo politikë destruktive synon të dëmtojë sa më shumë imazhin e vendit, nuk synon të hapë kutitë dhe absolutisht çdo përpjekje për të krijuar shqetësime të pa qena të jeni të sigurt do ndëshkohet në radhë të parë nga qytetarët shqiptar, të cilët janë lodhur me rrëmujë e trazira. Aq më tepër kur bëhet fjalë thjesht për karrierën e një individi i cili nuk njeh asnjë institucion.”

I pyetur nga mediat, numri dy i ekzekutivit komentoi dhe ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror, ku theksoi se për rishikimin e draftit, më parë qeveria shqiptare do të konsultohet me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro