Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Shtohen radhët e anëtarësisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në një nga lagjet e kryeqytetit ish-kryeministri Ilir Meta ka paraqitur arsyet e lëvizjes. Sipas tij, Kongresi i Dhjetorit vërtetoi konstatimet e deklaruara më parë nga kundërshtarët e kryeministrit brenda partisë, që nuk ishte çështje numrash apo emrash, por koncepti dhe morali në qeverisje.
Në rritjen e varfërisë, papunësisë, korrupsionit dhe ekonomisë informale, tek monopolet ekonomike të pushtetarëve. Kjo u vërtetua në raportet e Bashkimit Europian, ndaj Shqipëria mbeti jashtë dyerve të hapura të NATO-s. Ndërsa është shtyrë për një afat të papërcaktuar nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, tha Ilir Meta.
Ilir Meta: “Tashmë rreziqet e sigurisë nuk vijnë më nga jashtë, por vijnë nga brenda, vijnë nga keqqeverisja, vijnë nga korrupsioni, vijnë nga trafiqet, vijnë nga varfëria, vijnë nga krimi i organizuar. Binomi historik dhe i pandreqshëm nuk mund të na mbajë pambarimisht peng të mentalitetit të autoritarizmit, përçarjes dhe izolimit, sepse statuskuoja nuk është stabilitet, por është degradim”.
Sipas deputetit Dizdari, lëvizja nisi për të mos degjeneruar në partinë e njëshit.
Limoz Dizdari: “Për fat të keq, klima asfiksuese që mbizotëron, ekzistenca e klaneve dhe e tarafeve, fryma e servilizmit dhe idokratitë banale, bëri që kjo lëvizje të mos shndërrohet dot në një debat konstruktiv brenda PS. Kjo lëvizje u anatemua, e u mallkua, por kurrë nuk u analizua”.
Ilir Meta prezantoi si zëdhënës politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ish-zv/ministrin e shëndetësisë Petrit Vasilin.
Petrit Vasili: “Sot jemi për të hapur garën e më të mirëve. Kjo garë është e hapur, me më të mirët ne mund të bëjmë atë që duam, të themi larg varfërisë dhe afër NATO-s. Pra një garë e cila të jetë një garë e madhe dhe e ndershme, ku të luftojë vlera me anti-vlerën”.
Ne kemi socialistët, ata le të mbajnë vulën. Këtë përgjigje i dha Ilir Meta pjesëmarrësve gjatë diskutimit me ta. Bashkëbisedimi ka respektuar oraret e tifozëve të kampionatit evropian të futbollit./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj