9 vjet nga nisja e punimeve, xhamia e Namazgjasë u inuagurua këtë pasdite të 10 Tetorit, në praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Turk, Rexhep Taip Erdogan, përpara afro 5 mijë besimtarëve që nuk i kursyen ovacionet.
Ishte Presidenti turk ai që vendosi në 2015-ën gurin e parë të themelit dhe u rikthye këtë të enjte Tetori për të shënuar hapjen e xhamisë së financuar nga Turqia, të shtrirë në 10 mijë metra katrorë me një kapacitet prej 10 mijë personash.
Presidenti turk foli për konceptin mbi të cilën është projektuar kjo xhami, e cilësoi atë më të madhen në Ballkan dhe tha se ajo është simbol i vëllazërisë mes Turqisë e Shqipërisë.
Rexhep Taip Erdogan: Xhaminë e madhe të Namazgjasë e kemi projektuar si një strukturë, e cila në brendësinë e saj mbart, transmeton vlerat që nga tradita për në të ardhmen, integron pra vlerat e tjera të lashtësisë dhe historisë sonë dhe deri tek teknologjia më e re që është përdorur gjatë ndërtimit dhe sidomos, siç e shikoni, serviret shumë bukur arkitektura klasike osmane, e cila dominon në Ballkan. Kjo është xhamia më e madhe në Ballkan, është simbol i vëllazërisë mes Turqisë e Shqipërisë.”
Edi Rama: Ky sihariq i veçantë i përurimit të saj, frut i lutjeve dhe përpjekjeve të bashkëkombëseve tanë të besimit islam dhe i dashamirësisë së vëllezërve të tyre bashkëbesimtarë nga Turqia të cilët i falënderoj me mirënjohje më çon pas në 14 Nëntor të vitit 2014, 10 vite më parë kur fillesën e kësaj pune të bekuar në shërbim të komunitetit mysliman shqiptar e pata quajtur si çlirimi i Namazgjasë.
Kryeministri Rama bëri të ditur po ashtu se drejtues i xhamisë se Namazgjasë do të jetë myftiu i Tiranës.
“Qoftë e mbarë edhe këmba e kryemyftiut të Tiranës, Bilal Teqja, i cili prej sot do të jetë kryekujdestari i këtij tempulli dhe u priftë e mbara në familjet e tyre, të gjithë besimtarëve myslimanë të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe na ndihmoftë në rrugën tonë pa kthim, e as ndalim drejt majës që duam dhe do ta ngjisim patjetër flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, në një Shqipëri të denjë dhe të mirë për të gjithë shqiptarët, pa dallim feje, krahine e ideje”
Ndërsa Presidenti Erdogan iu rikthye edhe njëherë çështjes së konfliktit në Rripin e Gazës.
“Janë 50 mijë vëllezër tanë të pafajshëm palestinezë të cilët kanë rënë martirë, shehidë, janë vrarë në sulmet e Izraelit si dhe mbi 100 mijë janë plagosur. Janë bombarduar xhami, kisha, shkolla, universitetet dhe vendet e pazarit të tregut apo të punës ku ata ushqeheshin. Qeveria izraelite vazhdon sulmet e saj barbare ndaj fëmijëve, grave, minorenëve si dhe të moshuarve në Palestinë dhe tani Izraeli e ka çuar politikën e tij sulmuese, barbare, agresive në drejtim të Libanit. Është një detyrim i moralit, i ndërgjegjes tonë njerëzore për të gjithë ata që ndjejnë, kanë zemra, të qëndrojnë kundra terrorizimit shtetëror për të cilën aplikohet nga Izraeli në Palestinë.”
Falja e ezanit që u drejtua nga imami turk Esen Bastun, i cili do të jetë pjesë e fondacionit drejtues të xhamisë, shënoi mbylljen e ceremonisë.
Presidenti turk dhe bashkëshortja e tij dhe çifti kryeministror Rama vizituan për disa minuta ambientet e brendshme të Xhamisë së Namazgjasë për t’ia lënë vendin më pas besimtarëve të futeshin në këtë shtëpi të shumëpritur të faljes dhe besimit.
Tv Klan