Këtë të hënë në emisionin “Opinion” në Tv Klan u diskutua në lidhje me dosjen e inceneratorit të Tiranës.

Elvi Fundo, gazetar i CNA-së, tha gjatë një lidhje live që një prej dy të akuzuarve kryesorë për inceneratorët Klodian Zoto ose Mirel Mërtiri duhen të bëhen “pendito”, pra bashkëpunëtorë të drejtësisë.

Në këtë mënyrë, ai theksoi se ata mund të zbërthejnë skemën që të shpëtojnë edhe lekët e shqiptarëve.


“Ajo që dua të theksoj është që bëjnë mirë këta çunat që janë në hetim Klodi (Klodian Zoto) a Mireli (Mirel Mertiri) dikush nga ata të vrapojë të vejë të bëhet “pendito” atje që edhe skema të zbërthehet më shpejt, edhe lekët e shqiptarëve të shpëtojnë dhe SPAK sot më shumë se sa të na sillte disa zyrtarucë atje të Bashkisë së Tiranës, duhet të na kishte sjellë ku kanë shkuar paratë sepse paratë vazhdojnë ikin. Kallëzimi është në 2020, ne jemi në 2023, po vjen 2024. Kanë ikur qindra miliona Euro. Incenerator nuk ka. Veprimet e bëra të SPAK-ut janë për t’u përshëndetur nga njëra anë sepse shyqyr më në fund që u zgjuan, por theksoj se nuk mund të pranojmë sot nga këto hetime se vjedhja e shekullit të katandiset tek babai i Alqit, tek 5 mijë Eurot e atij burrit që do të fillonte punë, tek gratë e “Tigrit”, tek fisi i Taulant Tushes. Mendoj dhe mesa kam parë që ka pasur një skemë të mirëorganizuar kriminale, e cila vazhdon të funksionojë edhe nëpërmjet nënkontratimeve”, u shpreh Fundo.

Më tej ai u pyet se sa llogaritet humbja nga inceneratorët.  

Elvi Fundo: Aktualisht vetë kompania ka pranuar që në muajin Prill të këtij viti që ka investuar 30 milionë Euro. Me një email zyrtar që tashmë është në duart e zotit Dumani, që unë e kam dorëzuar pas emisionit ku kemi qenë bashkë në muajin Qershor në mos gaboj, ne kemi të vërtetuar që kanë investuar rreth 22 milionë Euro bashkë me kreditë që kanë marrë. Sipas bilanceve të deklaruara në QKB, janë rreth 110 milionë Euro të qarkulluara, dhe janë rreth 22 milionë, ja 30 milionë siç e deklarojnë vetë ata investim. Ku kanë shkuar 80 milionë Euro ndërkohë që ne kemi dy vjet…?

Blendi Fevziu: Ku kanë shkuar?

Elvi Fundo: I ka marrë Mirel Mërtiri me Klodian Zoton, me nënkontraktorët, kanë paguar këta të bashkive, kanë paguar këto komisionet. Gjatë kohës së pandemisë fluturonin me chartera, me jahte. E dini që kanë ardhur charter privatë atje, uleshin dhe iknin sikur iknin sulltanët e Shqipërisë?

Sipas gazetarit, kompania e inceneratorit të Tiranës nuk ka asnjë mjet./tvklan.al