“Turp për kryeministrin Fatos Nano!”, ishin thirrjet e qytetarëve në protestën e organizuar nga lëvizja “MJAFT”. Me kartona të kuq në duar, tubuesit kanë dashur të tregojnë se Nano duhet të largohet nga qeveria pas papërgjegjshmërisë së treguar në ditën e zisë kombëtare. Ndryshe nga sa mendohej, pjesëmarrja ishte e ulët, por një incident ka shoqëruar këtë protestë. Ka qenë fjalimi i publicistit Ardian Klosi, që ka irrituar turmën, i cili përmendi Nanon, Berishën dhe Rugovën si politikanë të një lloji.
Ardian Klosi: “Janë disa legjenda, Berisha, Nano, Rugova, që as në vaki nuk shkojnë prandaj merreni pak me të qeshur. Kjo rrugë e mallkuar që me sa duket s’ka filluar. S’kemi politikanë. Çfarë Berisha, se për të rrëzuar Berishën kemi dalë 100-fishi këtu! Amani, amani me këto emra! Unë kisha për t’ju thënë vetëm diçka.”
Pas incidentit protesta vazhdoi normalisht.
“Nuk ka fjalë tjetër. Turp, turp dhe vetëm turp për një kryeministër që gjen kohëtë argëtohet nëpër buzuqet e Greqisë dhe të mos gjejë një minutë të kthehet të vizitojë bashkëqytetarët e vet.”
Erion Veliaj: “Të gjithë eprorëve tanë t’u japim një karton të kuq, sepse nuk meritojnë të na shtypin dinjitetin tonë. Të vriten më shumë njerëz në rrugë se sa vriten në Irak në luftë, është krejtësisht e papërgjegjshme dhe këta njerëz njohin vetëm një fjalë ‘turp’.”
Mitingu u zhvillua në masa të rrepta sigurie gjë që ishte e panevojshme. /tvklan.al