Polica ndaloi autorin e një incidenti të shkaktuar në mesditë para kryeministrisë, teksa para portës së saj ishin mbledhur në një protestë paqësore protestues të shoqatës së të verbërve. Pëllumb Borshi, biznesmeni i furrave të bukës ka qëlluar në mënyrë brutale një grua të moshuar, siç shihet dhe nga këto pamje filmike.
Pas këtij veprimi motivi i të cilit ende nuk dihet Borshi është larguar, por me ndihmën e punonjësve të Gardës ai është identifikuar dhe arrestuar në kohë rekord nga policia, e cila shpërndahu dhe pamjet e tij pas shoqërimit në komisariat dhe sqaroi se ai nuk është pjesëtar i asnjë prej strukturave të Ministrisë së Brendshme, administratës së kryeministrisë dhe asnjë institucioni tjetër shtetëror.
Fatmir Konja: “Në lidhje me incidentin e ndodhur sot siç edhe e kemi informuar, personi që ka goditur një zonjë që protestonte afër kryeministrisë nuk është pjesëtar i asnjë prej strukturave të ministrisë së Brendshme. Gjithashtu informojmë qytetarët, se ky person nuk është pjesë e administratës së kryeministrisë dhe i asnjë institucioni shtetëror. Personi është identifikuar dhe ndaluar nga policia dhe rezulton të jetë Pëllumb Borshi, biznesmen i furrave të bukës, i cili po adresohej pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve, duke kërkuar t’i lejohej kalimi. Ndaj këtij personi organet e Ministrisë së Brendshme do të ngrenë padi penale si për dhunën e ushtruar ndaj një personi tjetër, ashtu edhe për pengimin e kundra ligjshëm të një proteste paqësore.”
Ky incident u bë shkak i një reagimi të nxituar të opozitës dhe raportimeve po të nxituara nga disa media.
Kryetari i PS Edi Rama doli në një konferencë për shtyp, duke shprehur indinjatën për këtë ngjarje.
Edi Rama: “Një fjalë e urtë e popullit thotë “Hallin që s’ma zgjidh të paktën ma qaj” dhe sot unë e fillova ditën në minierën e Bulqizës ku pashë hallin e madh të pazgjidhur dhe të paqarë të atyre skllevërve të shekullit të ri në mes të Europës dhe sot dal këtu përpara jush në këtë pasdite për të shprehur indinjatën time për atë që ndodhi me të verbrit përpara kryeministrisë. Kjo qeveri e pa aftë për të zgjidhur hallet e njerëzve në nevojë dhe njëkohësisht e pandjeshme për ti qarë këto halle, së paku duke u njohur atyre njerëzve dinjitetin. Është shëmbëlltyra e fundit e një politike të vjetër pa zemër për të ndjerë problemet e njerëzve, pa veshë për të dëgjuar hallet dhe shqetësimet e tyre dhe pa sy për të parë se në ç’gjendje përpëliten. Kjo qeveri është një shëmbëlltyrë të cilës po i afron fundi dhe në 28 qershor do të fillojë një epokë e re, epoka e një qeverie të njerëzve me njerëzit dhe për njerëzit.”
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrisë, zëdhënësja e kryeministrit Juela Meçani tha se Rama dhe media që ai kontrollon lëshuan shpifjet e rashës përpara publikut, ndonëse policia e kishte identifikuar autorin.
Juela Meçani: “Sot Edi Rama pasi nxiti që të shpifnin mediat që kontrollon doli edhe vetë në konferencë për shtyp në orën 5, për të denoncuar goditjen sipas tij nga një punonjës i këshillit të ministrave të një gruaje që protestonte përpara derës së kryeministrisë. Siç ka bërë të ditur policia e shtetit personi që ka kryer këtë akt të dënueshëm nuk është punonjës i kryeministrisë dhe as i administratës shtetërore, por një qytetar dhe biznesmen i cili sipas policisë po kalonte në atë kohë për të shkuar drejt qendrës kombëtare të regjistrimit të biznesit. Të vërtetën e këtij incidenti e di më mirë se kushdo tjetër vetë Edi Rama, i cili edhe pasi e mori vesh se policia ka identifikuar autorin e incidentit të turpshëm, vrapoi të dilte në konferencë për shtyp për të lëshuar shpifjet e radhës përpara publikut. …”/tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani