97% e kafshëve janë jovertebrore. Prej vitesh janë kryer një sërë studimesh për të zbuluar se cilat kafshë duhet të konsiderohen të ndjeshme e cilat jo. Kështu, janë analizuar sistemet e tyre nervore mjaft komplekse dhe sjelljet që mund të jenë indikacion në rast se ato përjetojnë dhimbje. Por teksa janë kryer studime mbi gaforret, oktapodët, kallamarët, një kategori mjaft interesante kanë qenë edhe insektet.

Insektet përbëjnë 40% të të gjitha specieve të gjalla, me rreth trilion insekte që shtohen çdo vit. Një numër tepër i madh i tyre vriten nga pesticidet ose të tjera zhduken pasi njerëzit u ndryshojnë habitatet për të krijuar ferma, fabrika apo ndërtesa. Shumica prej nesh nuk mendojnë shumë për jetën e tyre dhe ligjet tona zakonisht nuk e marrin parasysh mirëqenien e tyre.

Insektet janë të vogla dhe shpesh shihen si helmuese aq sa ne priremi t’i vrasim edhe kur nuk e kemi të qartë funksionin e tyre. Ato shihen më shumë si makineri se sa si qenie të ndjeshme. Kjo tregon edhe për lidhjen jo shumë të fortë të njeriut me botën natyrore.

Disa vite më parë, shkencëtarja Tilda Gibbons pas një sërë studimesh mbi dhimbjet kronike, filloi punën me insektet. Kur ajo kërkoi në Google “A ndjejnë dhimbje insektet?“, motori i kërkimit sugjeroi që përgjigja ishte jo. Megjithatë, Gibbons ishte e intriguar nga pyetja dhe në 2019-ën vizitoi kampusin në Universitetin Queen Mary të Britanisë së Madhe. Mori një kuti kartoni me rreth 100 bletë dhe e çoi në apartamentin e saj në Londër. Kështu i ekzaminoi me kujdes për ditë me radhë. Gibbons krijoi një kuti të madhe plastike që përmbante ushqim për bletët, me dy ushqyes të koduar me ngjyra. Njëri ushqyes ishte në temperaturën e dhomës, tjetri ishte në temperaturë shumë më të lartë aq sa kafeja e nxehtë. I mbushi të dyja me të njëjtën sasi sheqeri dhe bletët zgjodhën atë që kishte temperaturë më të ulët. Por kur Gibbons reduktoi përmbajtjen e sheqerit në ushqyesin e ftohtë, bletët kërkuan atë të nxehtin. Ato gjenin mënyrën për të konsumuar ujin me sheqer pa rënë në kontakt direkt me ushqyesin e nxehtë. Pra, bletët reaguan ndaj nxehtësisë në një mënyrë që ishte më shumë se sa thjesht automatike. Ato duruan nxehtësinë për të marrë sheqerin që u nevojitej!

Në 2022-in, Gibbons punoi me kolegë të tjerë për të analizuar lloje të tjera insektesh si buburrecat, milingonat apo fluturat. Ata dolën në përfundimin se insektet kanë nociceptorë që dërgojnë sinjale në pjesë të tjera të trurit të tyre që lidhen me lëvizjen apo kujtesën. Përshembull, buburrecat kishin reagim ndaj nxehtësisë, ata përpiqeshin të shpëtonin. Gibbons dhe kolegët e saj gjetën përfundimisht “prova të forta” se mizat, mushkonjat, bletët, fluturat, buburrecat apo termitet ndjejnë dhimbje.

Në një artikull të “Scientific American” në vitin 1927, Harold Bastin, një entomolog dhe fotograf raportoi se insektet kanë përvoja shqisore që njerëzit nuk mund t’i imagjinojnë. Milingonat, përshembull, mund të shohin dritën ultravjollcë. Megjithatë, shkroi ai, “njerëzit kanë kryer eksperimente të tmerrshme për ta vërtetuar një gjë të tillë”. Ka raste kur grerëzave u është prerë koka dhe ato kanë fluturuar sërish drejt lules…Pavarësisht se sa është niveli që mund të durojnë, ato ndjejnë dhimbje si çdo kafshë tjetër.

Në vitin 1964, Ruth Harrison sfidoi idenë se kafshët janë si makineri në librin e saj “Animal Machines”.

Një nga punimet më me ndikim mbi këtë temë, “A ndiejnë dhimbje insektet?”, u botua në vitin 1984 nga C. H. Eisemann, një entomolog australian në Universitetin e Queensland. Anketimi nxori si rezultat se insektet kanë sisteme nervore krejtësisht të ndryshme nga kafshët e tjera dhe se ato shpesh nuk reagojnë ndaj temperaturave të larta, goditjeve elektrike apo dëmtimeve trupore. Punimi i cili ka qindra citate në entomologji arriti në përfundimin se insektet ndjekin “modele të sjelljes kryesisht të programuara paraprakisht”.

Megjithatë thuajse çdo kafshë është e aftë për reagime refleksive ndaj stimujve potencialisht të dëmshëm. E me studimet e deritanishme, nuk ka një përfundim absolut mbi insektet, ato shihen shpesh si automatike ose që dhimbjen nuk e ndjejnë në të njëjtën mënyrë si kafshë të tjera.

/tvklan.al