Çmimet shënuan një rritje të lehtë gjatë muajit korrik, por raporti i fundit i Institutit të Statistikave thekson se inflacioni mbetet në nivele të qëndrueshme.
Ky indeks u llogarit në 2.1% kur një vit më parë shënonte 4.2%. Megjithatë INSTAT nënvizon se janë çmimet e ushqimeve ato që kanë vijuar të rriten.
Lëvizja më e madhe është në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,68%, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,43%.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e “peshkut” patën një rritje me 5,4%, pasuar nga “Qumështi, djathi dhe vezët” me 3,5%, ndërsa me 3,4% u rritën “Zarzavatet dhe patatet”.
Rritje të lehtë pastën edhe veshjet dhe transporti. Që nga muaji Shkurt të këtij viti, niveli i inflacionit mbetet poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%, pas rritjes së lartë që shënoi dy vitet e mëparshme për shkak të pasojave nga konflikti në Ukrainë.
Duke parë indikatorët pozitivë të ekonomisë, në mbledhjen e fundit Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë normën bazë të pandryshuar në 3%, instrument kryesor që banka qendrore përdor për kontrollin e inflacionit.
Sipas Guvernatorit Gent Sejko vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, ndërsa inflacioni në rënie, ecuri, e cila tregon se ekonomia shqiptare po rikuperohet duke lënë pas pasojat e goditjes nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë viteve 2022–2023.
Tv Klan