Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Instituti i Monumenteve të Kulturës ka vetëm një përgjigje për atë çka ndodhi në shtëpinë karakteristike të Pumajve në Gjirokastër, nuk ka fonde ndaj nuk është ndërhyrë. Kështu nuk mbahet përgjegjësi për jetën e atyre që banojnë këtu. Për autoritetet lokale dhe drejtorin e Instituti të Monumenteve, fatkeqësisë i është paraprirë, duke e konsideruar shtëpinë të pabanueshme.
E zonja që humbi jetën kishte nostalgji për këtë shtëpi ndaj shkonte. Si kjo shtëpi në Gjirokastër rrezikojnë mbi 50, ndërsa fondet nuk mjaftojnë as për gjysmën e tyre.
“Gjirokastra është në një gjendje aq të keqe, sa gjë nuk di ku të vësh dorë më përpara. Ne mundohemi të zgjedhim shtëpitë më të rëndësishme dhe që janë në rrezik. Të gjitha shtëpitë janë të degraduara dhe s’mund të thuash që kjo shtëpi do të bjeri sot dhe kjo do të bjeri pas tre muajsh. Mund të bjeri përpara ajo që kemi menduar se s’bie. Të shpallësh një qytet pasuri botërore, do të thotë që t’i të mbash përgjegjësinë si shtet për këtë qytet. Shteti duhet t’i japë vlerën që meritojnë monumenteve, ky është problemi”.
Drejtori i Institutit tregon, se në 13 vite në Gjirokastër nuk është vënë dorë. Sipas përllogaritjeve, vetëm restaurimi për të larguar rrezikshmërinë, kërkon 12 milion euro, ndërkohë që fondi i dhënë nga Ministria e Kulturës për të gjithë monumentet në vend është 85 milion lekë.
Burime nga Ministria e Kulturës bëjnë të ditur se për shkak të festivalit folklorik dhe programit për futjen në UNESCO, sivjet i akordohen Gjirokastrës 2/3 e buxhetit që do të shkojnë për kalanë, lagjen e “Pazarit të Vjetër’ dhe dy shtëpi karakteristike. E derisa të gjenden fonde e Instituti të Monumenteve të Kulturës t’i akordohen më shumë se kaq, do të kemi sërish ngjarje të tilla e mure të rrëzuara në qytetin karakteristik të Gjirokastrës./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti