Brunilda Cami: “Forumi i shtatë i mësuesve inovativ i organizuar nga Microsoft-i në kuadër të projektit “Partnerë në mësim” ka mbledhur në Berlin 38 shtete nga Evropa, të cilët kanë prezantuar 83 projekte, mes të cilëve dy projekte janë për herë të parë të prezantuara nga Shqipëria.”

Interneti në shkollë është një domosdoshmëri që mësuesit i përshtatet brezit të ri dhe për të realizuar një proces mësimor më cilësor.

Pikërisht shkëmbimi i eksperiencave mbi përfshirjen e teknologjisë në procesin e mësimdhënies ka mbledhur në kryeqytetin e Gjermanisë 300 mësues nga e gjithë Evropa.

Alketa Hodaj: “Projekti ynë titullohet “Rruga ime është dhe rruga juaj”. Në këtë projekt marrin pjesë katër shkolla nga katër shtete partnere, Shqipëri, Hungari, Rumani dhe Serbi. Secili shtet zgjodhi një rrugë nga qyteti i tyre. Qëllimi i projektit janë njohuritë në lëndën e historisë, të gjeografisë, përdorimi i disa programeve kompjuterike.”

Dritan Dylgjeri: “Projekti jonë konsistoi në krijimin e një uebsajti si një portë në internet. Nxënësit e shkollës tonë gjatë këtij projekti u pasuan me elementët e intervistimit, me elementët e krijimit të një ankete, me elementët e konceptimit të një programi, sepse gjatë këtyre, gjatë krijimit të uebsajtit, ata ranë në kontakt dhe u njohën me programe të ndryshme, me softuerë të ndryshëm.”

Prezantimi i Shqipërisë në këtë forum është vlerësuar pozitivisht nga organizatorët.

Teo Milev: “Projektet shqiptare janë shumë interesante. Më pëlqen mënyra se si janë shprehur nxënësit për gjërat që duan të arrijnë me anë të këtyre projekteve. Ajo që kam dëgjuar edhe nga juria është se mësuesit shqiptarë kanë sjellë projekte interesante, kanë shkëmbim interesant të eksperiencave dhe opinioneve mes disa shkollave të vendeve të ndryshme.”

Një juri e përbërë nga 14 anëtarë ka vlerësuar projektet e paraqitura në tre fusha, risia që sjellin në komunikim, në bashkëpunim dhe në komunitet.

Ky forum zgjodhi dhe tre mësuesit e vlerësuar mbi mënyrën e implementimit të teknologjisë në procesin mësimor.

Në vendin e parë u rendit Polonia, në të dytin Suedia dhe në vendin e tretë Belgjika./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami