Avancimi i bashkëpunimit ndërfqinjësor, ndihma për avancimin e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, dhe ndihma për anëtarësimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO janë fushat kryesore në të cilat angazhohet Ambasada e Shqipërisë në Maqedoni.

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, për TV Klan thotë se marrëdhëniet ndërfqinjësore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë janë shembull për rajonin.

Arben Çejku: “Shqipëria dhe Maqedonia si dy vende fqinje kanë një traditë tashmë të theksuar të një bashkëpunimi fqinjësor shembullor, bashkëpunimi midis dy vendeve tona shtrihet në dy plane. Në planin e bashkëpunimit si dy vende fqinje, por edhe në planin e bashkëpunimit rajonal. Në të dyja këto plane Shqipëria dhe Maqedonia kanë dëshmuar shembull dhe rezultate konkrete”.

Ambasadori Çejku, i cili mandatin e mori para tre muajve, aktivitetin e vet e ka fokusuar edhe në një sferë të re, diplomacinë ekonomike. Ai po ashtu përjashton mundësinë për çfarëdo lloj regresi në sferën e lëvizjes së lirë të qytetarëve të dy vendeve.

Arben Çejku: “Absolutisht nuk ka hapësira për regres, përkundrazi ka përpara nesh ka hapësira të reja të lëvizjes së lirë. Në themel të lëvizjes së qytetarëve, siç e dini është marrëveshja jonë dypalëshe për lëvizjen e lirë dhe njëkohësisht të dy qeveritë kanë shprehur vullnetin e tyre të qartë për një nxitje të mëtejshme të shkëmbimit të lirë, të lëvizjes së lirë të njerëzve të mallrave. Aktualisht jemi në fazën ku do të hapet edhe dy, pritet të hapen edhe dy pika të reja të kalimit kufitar, Gjepisht, Trebishtë, në Gjuricë. Janë dy pika që do të hapen. Qeveria e Maqedonisë së shpejti do të fillojë punimet për rrugën, e cila do të lidhë Gjuricën, ose e thënë gjeografikisht të lidhë kokën e rrugës së Arbrit me pjesën tjetër të territorit në Maqedoni”.

Ambasadori Çejku thekson bashkëpunimin e ngushtë me faktorin shqiptarë në Maqedoni, por nuk mungon edhe bashkëpunimi me faktorin maqedonas.

Arben Çejku: “Përfaqësia jonë diplomatike këtu në Maqedoni, në republikën e Maqedonisë synon përveç përmbushjes të obligimeve të veta në forcimin e bashkëpunimit dypalësh është edhe e vëmendshme në drejtim të përmbushjes së standardeve demokratike për shqiptarët etnikë në Maqedoni dhe ndan simpatinë e saj në çfarëdolloj suksesi dhe progresi që arrihet në këtë drejtim. Neve e shohim me simpati çdo hap që bëhet në drejtim të përmbushjes së marrëveshjes së Ohrit dhe frymës së marrëveshjes së Ohrit”.

Para dy javëve ambasada e Shqipërisë është transferuar në pjesën e vjetër të qytetit, pranë kalasë së Shkupit, me çka edhe në aspektin gjeografik është më afër shqiptarëve të këtushëm. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al

Gazetar: Isen Saliu