Avancimi i bashkëpunimit ndërfqinjësor, ndihma për avancimin e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, dhe ndihma për anëtarësimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO janë fushat kryesore në të cilat angazhohet Ambasada e Shqipërisë në Maqedoni.
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku për TV Klan thotë se marrëdhëniet ndërfqinjësore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë janë shembull për rajonin.
Arben Cejku: “Shqipëria dhe Maqedonia si dy vende fqinje kanë një traditë tashmë të theksuar të një bashkëpunimi fqinjësor shembullor. Bashkëpunimi midis 2 vendeve tona shtrihet në 2 plane, në planin e bashkëpunimit si 2 vende fqinje, por edhe në planin e bashkëpunimit rajonal. Në të dyja këto plane Shqipëria dhe Maqedonia kanë dëshmuar shembull dhe rezultate konkrete”.
Ambasadori Cejku i cili mandatin e mori para tre muajve, aktivitetin e vet e ka fokusuar edhe në një sferë të re, diplomacinë ekonomike.
Ai po ashtu përjashton mundësinë për çfarëdo lloj regresi në sferën e lëvizjes së lirë të qytetarëve të dy vendeve.
Arben Cejku: “Absolutisht nuk ka hapësira për regres, përkundrazi ka.. përpara nesh ka hapësira të reja të lëvizjes së lirë. Në themel të lëvizjes së qytetarëve siç e dini është marrëveshja dypalëshe për lëvizjen e lirë dhe njëkohësisht të dy qeveritë kanë shprehur vullnetin e tyre të qartë për një nxitje të mëtejshme të shkëmbimit të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave. Aktualisht jemi në fazën ku do të hapet dhe një.. pritet të hapen dhe 2 pika të reja të kalimit kufitar Gjepisht, Trebisht. Në Gjuricë janë dy pika që do të hapen. Qeveria e Maqedonisë së shpejti do të fillojë punimet për rrugën e cila do të lidhë Gjuricën ose e thënë gjeografisht, të lidhë kokën e rrugës së Arbrit me pjesën tjetër të territorit në Maqedoni”.
Ambasadori Cejku thekson bashkëpunimin e ngushtë me faktorin shqiptarë në Maqedoni, por nuk mungon edhe bashkëpunimi me faktorin maqedonas.
Arben Cejku: “Përfaqësia e jonë diplomatike këtu në Maqedoni, në rubrikën e Maqe4donisë synon përveç përmbushjes së obligimeve të veta në forcimin e bashkëpunimit dypalësh, është edhe e vëmendshme në drejtim të përmbushjes së standardeve demokratike, për shqiptarët etnik në Maqedoni dhe ndan simpatinë e saj në çfarë do lloj suksesi dhe progresi që arrihet në këtë drejtim. Neve e shohim me simpati çdo hap që bëhet në drejtim të përmbushjes së marrëveshjes së Ohrit dhe frymës së marrëveshjes së Ohrit”.
Para dy javëve ambasada e Shqipërisë është transferuar në pjesën e vjetër të qytetit, pranë kalasë së Shkupit, me çka edhe në aspektin gjeografikë është më afër shqiptarëve të këtushëm.
Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al