Liderët e institucioneve të Kosovës kanë pritur sot në një takim lumturie të ngarkuarin me punë në ambasadën e Shqipërisë Arben Çejkun, i cili përfundoi këto ditë misionin e tij 3 vjeçar në Prishtinë.
Kryeministri Hashim Thaçi pas takimit çmoi punën e diplomatit shqiptar.
Hashim Thaçi: “Ishte takimi përshëndetës më shefin e misionit diplomatik të Shqipërisë në Kosovë zoti Çejku, me të cilin kemi bashkëpunuar shumë ngushtë në 3 vitet e kaluara. Në veçanti në periudhën para shpalljes së pavarësisë, gjatë procesit të shpalljes së pavarësisë dhe pas. Kemi instaluar raportet e shkëlqyeshme ndërshtetërore, raporte këto që do të njohim vetëm avancim.”
I ngarkuari me punë në ambasadën e Shqipërisë Arben Çejku ndërkaq tha, se ndihet i lumtur që ka shërbyer në Kosovë në një periudhë mjaft të rëndësishme.
Arben Çejku: “Kam qenë mjaft i nderuar dhe mjaft i privilegjuar të shërbej në Kosovën që ndryshon dhe jam shumë i bindur që me lidershipin e saj Kosova do të shkojë përpara. Në të gjitha trendet dhe objektivat e saj për integrim euroatlantik, për një fqinjësi dhe bashkëpunim të mirë dhe model me Shqipërinë dhe vendet e tjera fqinje.”
Ambasada e Shqipërisë në Kosovë njoftoi që së shpejti në krye të kësaj përfaqësie do të vijë Islam Lauka, i cili tashmë dhe zyrtarisht është dekretuar ambasador nga presidenti shqiptar Bamir Topi./tvklan.al
Gazetar: Leonard Kërquki