Shef Altin Prengën e njohim si një prej novatorëve të kuzhinës tradicionale, por këtë herë në programin “Rudina” në Tv Klan nuk erdhi me përparësen e lidhur në bel. Në intervistë ai u shoqërua nga njeriu i tij i shtrenjtë që i ka mësuar edhe dashurinë për ushqimin, nëna. Znj. Marije hyri në studio me kostumin tradicional të zonës dhe një tepsi me laknor.
Më pas, të dy nisi të rrëfejnë për marrëdhënien e tyre, shoqëruar edhe nga videot e fotot në sfond. Një prej tyre tregon Altinin e vogël në krahët e nënës teksa znj. Marije përshkruan të birin në atë kohë.
Rudina Magjistari: Si ka qenë Altini i vogël si fëmijë?
Znj. Marije: Altini im gjithmonë ka qenë, pasi mori mend, shumë i zgjuar.
Rudina Magjistari: Si ishte shprehja, pasi mori mend, pasi erdhi në mendtë e veta themi ne ndryshe, pasi u rrit pak dhe filloi të kuptonte, të ishte më i pavarur.
Znj. Marije: Na dëgjonte ne gjithmonë se nga do të shkojmë, çfarë pune do të bëjmë ne përditë. Ishte 4 vjeç.
Rudina Magjistari: Ju sa vjeç keni qenë kur ka lindur Altini, kur u bëtë nënë për herë të parë?
Znj. Marije: 23.
Altin Prenga: Mamin e mbaj gjithmonë në radhë të parë shumë të bukur.
Rudina Magjistari: Duket, po.
Altin Prenga: Njeri me zemër të madhe dhe shumë bujare. Për shembull, mbaj mend kaloni atëherë në fillim të ’90-ës, ishim në fshat, ishim të izoluar, kishim jetën që kishim, kalonin për të marrë aksesorët e parë, bronzit a diçka dhe i kërkonin edhe pak lëmoshë nëpër fshatra dhe unë shihja gati me inat mamin se u jepte djathë, u jepte produkte me vete të gjithëve atyre që lypnin diçka ndërkohë që ne vetë nuk kishim se ’90-a ishte e tmerrshme për ushqim. Thosha si ka mundësi kjo arrin ta bëjë këtë gjë se ne kishim vështirësi për vete dhe historikisht ka pasur zemër shumë të madhe e njeri shumë i paqtë./tvklan.al