Pasditen e kësaj të mërkure në studion e “Rudina” në Tv Klan ishte e ftuar artisja Arsi Bako. Këtë vit ajo mori pjesë për herë të dytë në kompeticionin e “Këngës Magjike”. Jo vetëm për zërin, vokalin apo tekstin e këngës, Arsi Bako tërhoqi shumë vëmendje dhe për veshjen e saj.
Me fustan dhe kësulë të kuqe, ajo kompletoi baladën e saj dhe jo më kot u quajt nëpër rrjetet sociale si “kësulëkuqja e Këngës Magjike”. Në “Rudina” ajo tregon fillimet e saj në muzikë. Ku pasioni i saj në këtë fushë u zbulua në vit të parë në gjimnaz. Që prej asaj kohë ajo numëron një sërë çmimesh e vlerësimesh. Ndërkohë që kohët e fundit ka nxjerrë në treg albumin e saj me 7 këngë.
Rudina Magjistari: Zëri yt është një zë shumë i bukur, e përmendëm që në fillim. Si ke filluar ti të këndosh përveç asaj pjesës në shtëpi që e vogël, kur kuptove që zëri yt është vërtet i veçantë dhe ti t’i përkushtohesh seriozisht muzikës?
Arsi Bako: Për të ulëritur në shtëpi siç ti e the kemi nisur të gjithë që të vegjël, por me kalimin e kohës merresha më shumë, bëja covera nëpër shtëpi. Ama në gjimnaz unë e pikasa tamam që mund të bëja diçka më tepër me këngën dhe që mund ta zhvilloja më tepër pasionin tim. Në gjimnaz mora pjesë në një kompeticion ndërmjet gjimnazeve që është “Tirana Art Fest”. Aty u pikasa nga pjesa e jurisë, aty edhe babi filloi që ta kuptonte që prit se po merr një lloj vëmendjeje tjetër pak më serioze. Gjithashtu pas kësaj pjesëmarrjeje zhvillova dhe leksione pianoje që më zhvilluan më tej veshin tim muzikor. Pra gjimnazi mund të them që ka qenë pika e nisjes e karrierës sime muzikore. Të treja vitet e gjimnazit kam marrë pjesë në këtë kompeticion ndërmjet gjimnazeve, të treja vitet kam marrë nga një çmim.
Jam vlerësuar me një çmim për vokalin, si vokali më i mirë dhe në vitin e parë “artistja debutuese”. Pas kësaj kam krijuar një këngë që titullohet “More and friends” me Bulzën dhe nga kënga në këngë janë afruar njerëz të ndryshëm të cilët donin të komunikonin, të më kontaktonin dhe të bashkëpunonin me mua. Nga të cilat kanë dalë të gjitha pjesëmarrjet e mia në festival dhe në “Kënga Magjike”. Ndërkohë unë krijoj edhe vetë, pjesa e pianos më ka mësuar që unë të jem e zhdërvjellët edhe vetë, të krijoj diçka. Gjithmonë kam pasur melodi në kokën time që doja t’i nxirrja, por s’kam pasur mundësi, nga ana teknike flasim. Dhe të mësuarit të pianos më ka ndihmuar për të shoqëruar veten, në mënyrë fillestare ama ia kam dalë dhe tani kam disa këngë të miat të cilat dua t’i realizoj dhe t’i nxjerr me videoklipe./tvklan.al