Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Gazetarja:- Zoti Xhaferri, shpallja e kandidatit demokrat për bashkinë e Durrësit nënkupton, se ju nuk do të keni mbështetjen e Partisë Demokratike, ç’do të thotë kjo për ju?
Ferdinand Xhaferri:- “Vërtetë mund të quhet zhgënjim, unë mendoj se Berisha po gabon rëndë dhe këtu nuk ka të bëjë thjeshtë me marrëdhëniet e Partisë Demokrate të Re me Partinë Demokratike, por ka të bëjë me përgjegjësitë që opozita ka karshi mijëra të papunëve, ndoshta, nuk kam dëshirë të besojë, por ndoshta zoti Berisha së bashku me Nanon, kërkojnë dhe synojnë që Durrësin ta lënë në duart e mafies, por për fatin e mirë kjo nuk është në dorën e tyre. Kjo është në dorë të qytetarëve durrsakë, të cilët do ta thonë fjalën e tyre në 12 Tetor”.
Gazetarja:- Konkurroni krah dy kandidaturave që i përkasin biznesit, qoftë PD, qoftë asaj Socialiste, si ndiheni përball tyre?
Ferdinand Xhaferri:- “Unë kam respekt për biznesin, e vërteta është që të dy kandidaturat nuk i përkasin shoqërisë civile, por i përkasin klaneve të mirëfillta, pra Lefter Koka nuk mund të quhet shoqëri civile, ai mund të quhet fare mirë shoqëria e Fatos Nanos, sikurse dhe kandidati tjetër që është shumë larg strukturave të PD. Unë mendoj që të dy kandidatët e tjerë futen në garë për të fuqizuar bineset e tyre, kurse unë futem në garë për të fuqizuar gjithë qytetin e Durrësit”.
Gazetarja:- Ju thatë, se dy kandidaturat janë pjesë e klaneve partiake, a keni frikë se mund të manipulohet me to?
Ferdinand Xhaferri:- “Unë mendoj se një qytet nuk mund të blihet me para. Durrësi është shumë më i thellë, shumë më i plotë dhe Durrësi nuk është qytet që blihet me para, pra ata kandidatë që janë specializuar për të hapur dhe mbyllur traun e doganës, duhet ta dinë që është shumë larg dhe nuk kanë të bëjnë me qytetin e Durrësit”./tvklan.al