Gazetarja: Zoti ministër ju sot për herë të parë keni folur edhe për një afat konkret do të jetë viti 2009 ai i liberalizimit të vizave, shpresojmë shumë. Konkretisht çfarë hapash do të ndjekë qeveria shqiptare, çfarë negocimi do të bëhet ndoshta edhe në nivel teknik me vendet e BE?

Lulzim Basha: “Shqipëria nuk është ajo që vendos afatet, por zëvendës presidenti i komisionit, zoti Fratini gjatë vizitës së tij në Tiranë e bëri shumë të qartë që synimi është procesi të shkojë drejt përfundimit brenda mandatit të këtij komisioni, të komisionit të zotit Baroso. Ajo që ne themi është se kjo është plotësisht e mundshme, pajisja e shtetasve shqiptarë me pasaporta biometrike të standardit europian do të jetë një hap madhor edhe për procesin e liberalizimit të vizave. Pra bazuar në progresin e shpejtë që ne kemi bërë në fillim, me marrëveshjen e lehtësimit të vizave dhe sot me marrëveshjen e liberalizimit të vizave bazuar në përkushtimin dhe vullnetin e BE për të ecur përpara me këtë proces brenda një kohë sa më të shkurtër, ne jemi optimist se procesi do të përmbyllet pa humbje të panevojshme kohe dhe mendojmë se objektivat e vendosura në këtë rast nga KE për të përfunduar procesin brenda mandatit të këtij komisioni janë plotësisht të arritshme.”

Gazetarja: Nga pikëpamja e procedimit teknik çfarë do të ndodhë me BE, do të ketë negocime?

Lulzim Basha: “Tashmë që kemi një dokument i cili përcakton qartë detyrimet që i lindin Shqipërisë, apo dalin para Shqipërisë për të arritur deri tek momenti ku KE i këshillon këshillit të ministrave të BE heqjen e vizave me Shqipërinë, na mbetet që këto detyra një nga një, por jo kronologjikisht, por të gjitha së bashku ti realizojmë. Të realizojmë sigurinë e dokumenteve, të realizojmë ratifikim dhe aderimin e ato instrumenteve ndërkombëtar sa i preket sigurisë së kufijve, luftës kundër emigracionit ilegal, luftës kundër pastrimit të parave dhe antiterrorizmit  të cilat janë të përshkruara në këtë dokument. Një pjesë prej të cilave Shqipëria tashmë i ka ratifikuar apo u është bërë palë edhe para marrjes në dorëzim të udhërrëfyesit.”

Gazetarja: Çfarë do të thotë liberalizim zoti ministër, do të thotë që s’ka viza?

Lulzim Basha: “Liberalizim do të thotë që qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë drejt hapësirës Shengen pa patur nevojë për një vizë në pasaportën e tyre./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi