Një 21-vjeçare është vrarë dhe vëllai i saj është plagosur në Ferizaj. Dorasi dyshohet të jetë ish-bashkëshorti i saj i cili është arrestuar nga policia.
Vrasja raportohet të ketë ndodhur jashtë objektit të Qendrës për Punë Sociale ku edhe dorasi kishte marrë fëmijën nga ish-bashkëshortja.
Agim Aliu, kryetari i Ferizajt: Të tronditur thellë, morëm lajmin se pak minuta më parë, një bashkëqytetare e jonë është qëlluar për vdekje nga ish-bashkëshorti i saj. Autori ka plagosur edhe vëllain e viktimës.Viktima dhe autori po merrnin shërbime pranë Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, në kohën qe autori ka qelluar mbi viktimën dhe vëllain e saj si dhe ka kërcënuar me armë edhe punonjësen e këtij institucioni. Autori është arrestuar nga Policia e Kosovës në Ferizaj. Presim nga institucionet e drejtësisë që pas hetimeve, me forcën e ligjit t’i japin dënimin e merituar autorit.
Ndërkohë në Prishtinë në orët e hershme të mëngjesit ka ndodhur një shpërthim me granatë dore. Nga shpërthimi të paktën 6 vetura janë dëmtuar ka konfirmuar për TV Klan Policia e Kosovës. Nuk raportohet për të lënduar.
Rezultatet e para sugjerojnë që mjeti shpërthyes të ketë qenë granatë dore, ndërkohë që policia po vijon me ndërmarrjen e veprimeve të tjera për ndriçimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen
Një nga veturat e dëmtuara është edhe e reperit Agon Abullahu i njohur me nofkën Noga. Madje dyshimet e para janë se pikërisht vetura e tij të ketë qenë cak i sulmit. Prokuroria është duke vazhduar hetimet.
Klan News