Ish- të përndjekurit politikë kanë nisur regjistrimin e emrave të vullnetarëve të cilët do të hynë në grevë urie deri në rrëzimin e qeverisë aktuale. Në protestën e radhës përpara Parlamentit, ish-të përndjekurit politikë kanë hedhur parrulla kundër qeverisë dhe deputetëve socialistë të cilët nuk pranuan të miratojnë në parlament dëmshpërblimet për vitet e burgut. Ndonëse paqësorë në dukje, protestuesit kanë qenë nën vëzhgimin e forcave të rendit në gatishmëri për të ruajtur deputetët e mbledhur në seancë plenare. Greva e urisë pritet të nisë pas disa ditësh dhe do të shtrihet nga Tirana nëpër rrethe me të vetmin qëllimin, largimin nga detyra të kryeministrit Nano. Në lidhje me kërkesat e protestuesëve dhe grevën e urisë kreu i Shoqatës së ish-të përndjekurve politikë Kurt Kola shprehet:
Kurt Kola: “Ne kemi fillu nëpër rrethe të përzgjedhim personalitete për tu fut në grevë urie. Do të fusim natyrisht shkrimtarë poetë të përndjekur politikë të burgosur direkt nuk do të fusim të sëmurë do fusim sa më njerëz sa më të përzgjedhur qoftë nga reputacioni politik qoftë edhe nga mosha që ta përballojnë me dinjitet grevën e urisë.”
Gazetari: kur fillon greva e urisë?
Kurt Kola: “Ndoshta shumë shpejt, me qenë se këta nuk po reagojnë në zbatimin e ligjeve të tyre, ndoshta shumë shpejt do t’u përgjigjemi me grevë urie.”
Gazetari: Do jetë pa afat?
Kurt Kola: “Pa afat dhe grevë e urisë do të kërkojë rrëzimin e qeverisë, jo më dëmshpërblimin.” /tvklan.al