“Për dozën e tretë përforcuese aplikohet edhe kombinim vaksinash”
Që prej nisjes së procesit të dozave të treta më 1 Nëntor, në vendin tonë janë kryer mbi 18 mijë injektime të tilla. Po ashtu sipas specialistes së ISHP, Iria Preza ka një rritje të konsiderueshme të mbulesës vaksinale me një apo dy doza anti-covid.
“Aktualisht janë kryer rreth 18 mijë doza të treta në të gjithë vendin dhe procesi po vazhdon normalisht, siç ndodh edhe me dozën e parë apo të dytë. Mbulesa vaksinale e vaksinimit të plotë me dy doza ka arritur rreth 41%, ndërkohë që personat që kanë kryer dozën e parë janë rreth 47%. Por edhe kjo dozë e tretë hidhet në sistem njësoj si dy të tjerat”.
Për qytetarët që po marrin dozën përforcuese anti-covid, në bazë të rekomandimeve të mjekut bëhet edhe kombinim të ndryshme të vaksinave, përpos Sputnik e cila kombinohet vetëm me Pfizer.
“Udhëzimi është shumë i qartë dhe ka të detajuar të gjithë personat që përfitojnë vaksinë me po të njëjtën që kanë bërë dy dozat e para ose që përfitojnë kombinim dhe ka pasur edhe kombinime me doza të ndryshme nga të parat”.
Ndërkohë prej 1 Nëntorit është miratuar edhe vaksinimi i fëmijëve 12-18 vjeç me sëmundje kronike, por ky proces bëhet me mriatimin e prindërve.
“Gjithmonë, fëmijët të cilët përfitojnë vaksinimin ndaj Covid, duhet të jenë të shoqëruar dhe merret miratimi i prindit ose kudjestarit për të kryer vaksinën ndaj Covid në qendrën shëndetësore ose në pikën e vaksinimit”.
Paralelisht në çdo qendër shëndetësore po kryhet edhe vaksina kundër gripit për të gjitha kategoritë e riskuara, injektim i cili mund të merret edhe njëkohësisht me vaksinën anti-covid.
Klan News