Një shqiptare në Parlamentin Britanik! Bëhet fjalë për Sara Gezdarin, që rrëfeu sonte në “Opinion” gjithë rrugëtimin e saj sa të vështirë, aq edhe të bukur jetësor e politik. Sot ajo është kandidate për deputete e Partisë Konservatore në Britaninë e Madhe, ndërkohë që kujtoi vitin 1996, kohë kur largua nga Shqipëria në Itali.
“U largova nga Shqipëria 11 vjeç. Kujtimet janë të ndryshme, të mrekullueshme për familjen, shoqërinë, farefisin…Por edhe të vështira, sepse unë u largova në periudhën kur rrëmbeheshin vajzat e vogla. U largova kur kisha shumë nevojë për familjen time, shkova të jetoj me një familje italiane, sepse isha minorene.”
Pasi mbaroi gjimnazin, vijoi studimet për Shkenca Politike dhe më pas u ribashkua me familjen e saj. 5 vite punoi në Sardenja si eksperte turizmi, që i mundësoi të udhëtonte shumë shpesh nëpër botë.
“Nuk ka rëndësi nga vjen, por historia jote! Ka rëndësi ku do të shkosh dhe të gjithë njerëzit që janë pranë teje të të japin diçka në jetë”, ishte mesazhi frymëzues i Sarës.
Pas suksesit në këtë fushë, ajo tha se shkoi në Londër bashkë me ish-bashkëshortin e saj italian.
“Hapëm një fond investimi ekonomik dhe fillova të angazhohem me politikën lokale. Është proces i gjatë, është maratonë dhe jo një sprint. Është proces korrekt, në Angli nëse punon shumë dhe ke një mesazh që mirëpritet nga publiku të jep një dorë të ecësh përpara.”
Po çfarë e shtyu drejt politikës?
“Unë dua të ndihmoj njerëzit, dua të shoh ndryshim në jetën e tyre. Unë do mundohem të jem e padeformueshme. Dua të lë një legacy për veten!”, tha Sara në studion e “Opinion”.
Ajo ndau edhe një moment shumë të veçantë gjatë fushatës zgjedhore.
“Unë u zgjodha nga Partia Konservatore që të bëj debatin kundër zv,kryeministres aktuale. Unë që isha pa asnjë eksperiencë dhe ma thanë 24 orë para, duhet të bëja një fjalim 9 minuta para njerëzve që kishin një karrierë të gjatë në politikë. Ata kishin parë emrin tim, një shoqatë shqiptare dhe erdhën 50 veta me flamur shqiptar që të më suportonin mua. Ishte e mrekullueshme!”
/tvklan.al