Në fund të Dhjetorit, kryeministri Edi Rama tha para gazetarëve se në fillim të vitit 2025 do të ndalohet përdorimi i platformës TikTok në vendin tonë.
Ky vendim i qeverisë u bë kryefjalë e mediave kombëtare dhe jehonë për ato botërore. Shqipëria bëhet një nga vendet e pakta në botë që kërkon ndalimin e TikTok, duke ngjallur kështu debate dhe kundërshti të shumta.
Një prej personave që janë kundër ndalimit të kësaj platforme është dhe analisti Mentor Kikia, i cili këndvështrimin e tij personal e shprehu mbrëmjen e kësaj të mërkure në studion e “Opinion” në Tv Klan.
Blendi Fevziu: Pro apo kundër?
Mentor Kikia: Kundër. Por, jo vetëm për TikTok, por për të gjitha rrjetet sociale. Në mënyrë absolute duhet të ketë filtra për audiencën.
Blendi Fevziu: Po përsëri censurë është kjo.
Mentor Kikia: Jo, jo. Filtra për të miturit. Nëse ne po flasim për efektet anësore të teknologjisë, ato nuk i ka vetëm një platformë e veçantë. Dhe mbi të gjitha vendimet drastike nuk mund të merren “tak-tak”.
Blendi Fevziu: Filtri në vetvete apo kontrolli është apo aq i censuruar.
Mentor Kikia: Jo nuk është aq. Mbyllja drastike arrihet kur ke bërë studime dhe ke arritur në përfundimin që posaçërisht ky është shkaku. Vendimi drastik nuk mund të shkohet sepse vetë Rama ishte shumë drastik kur e deklaroi sepse në TikTok tha “njëri flet më shumë se tjetri”, apo politikanët bëjnë këtë e atë. Unë nuk e dëgjova pjesën e dhunës, vandalizmin, droga e të tjera. Ai iu referua kontestit politik në platformë. Unë jam për të mbrojtur të miturit nga të gjitha prapësitë dhe efektet anësore të rrjeteve sociale, por rrjetet sociale nuk mund të mbyllen se do të thotë ta marrësh botën e ta përmbysësh./tvklan.al