Afati për votimin e nominimeve për çmimet Oscar është shtyrë me dy ditë për shkak të zjarreve në Kaliforninë jugore.

Votimi nga thuajse 10 mijë anëtarë të Akademisë u hap më 8 janar dhe do të mbyllej më 12, por tani afati i ri është më 14 janar. Njoftimi i nominimeve ishte vendosur më 17 janar, por do të bëhet më 19  janar.

Ceremonia do të mbahet më 2 mars dhe do të prezantohet nga Conan O’Brien.

Akademia u dërgoi një email anëtarëve pasditen e së mërkurës duke detajuar ndryshimet. “Ju dërgojmë ngushëllimet më  të thella të prekurve nga zjarret shkatërruese përgjatë Kalifornisë jugore. Shumë prej anëtarëve dhe kolegëve tanë jetojnë dhe  punojnë në Los Anxheles, ndaj ju kemi në mendje”, shkruhej në një pjesë të email-it.

Më tej, email-i ka dërguar edhe ndryshimet kalendarike për ngjarje të tjera të  industrisë së filmit. Zjarret në Kaliforni kanë shkaktuar shtyrjen e premierave, anulimin e tyre deri në një moment të dytë si edhe të eventeve të tjera.

Një nga ceremonitë e çmimeve që gjithashtu u shty është Critics Choice që ishte vendosur të mbahej më  12 janar dhe data e re është vendosur 26 janari./tvklan.al