Për pak javë pritet mbyllja radikale e TikTok në vend, mirëpo sa efektive do jetë si masë? Sipas drejtuesit të kompanisë Acromax në Shqipëri Aldor Nini, të gjitha platformat janë problematike dhe se materialet që qarkullojnë janë thuajse të njëjta. Ai veçon Snapchatin, që sipas tij përdoret gjerësisht nga adoleshentët dhe ku tashmë është integruar edhe opsioni i videove të shkurtra.

-Po Snapchat-i është popullor në Shqipëri?

Aldor Nini: Shumë, sidomos tek adoleshentët. Për komunikim, adoleshentët e shohin si një mënyrë shumë të sigurtë sepse mesazhet fshihen dhe pastaj nga ana e konsumimit të videove që e ka integruar dhe Snapchati si TikTok-u. Edhe atje ç’a s’shikon!


-Kush është platforma më problematike sipas teje?

Aldor Nini: Të gjitha janë problematike, absolutisht! Këtë e shohim nga kërkimet që bëjmë si kompani për materiale që ne i bllokojmë për arsye të drejtave të autorit. Duke i kërkuar na del çdo lloj videoje tjetër dhe normalisht kemi një lloj eksperience me këto lloj videosh. Unë personalisht, kam këtu dy telefona, të dy adoleshentëve. I kam hapur, kam parë TikTok, Instagram dhe platforma të tjera…Për të thënë të vërtetën, në gjysmë ore, një orë nuk kam parë në TikTok asnjë video problematike. Në Instagram dilnin video normalisht, shorts-at…Në përgjithësi të njëjtat video në çdo platformë. Kështu që pyetja është, ku e kemi nxjerrë ne këtë teorinë?!

-Ka pasur ankesa të vazhdueshme, ka shumë vende të botës që tek TikTok janë fiksuar.

Aldor Nini: Vendimi ku bazohet, në pyetësorin e prindërve që flasin nëpër kafe?!

/tvklan.al