Banorëve të një ishulli të vogël në skocez u është kërkuar që të tërheqin njerëz të rinj, me shpresën se do të mund të shtojnë popullsinë, pasi të gjitha tentativat e tjera kanë dështuar.

Ishulli i Canna, në Hebrides ka vetëm 15 banorë, pavarësisht një konkursi botëror për të tërhequr njerëz, ku u regjistruan me qindra aplikime.

Sipas asaj që shkruan “DailyMail”, ky ishull i vogël, që ndodhet në jug të Skye, zuri faqet e para të mediave botërore në 2016-ën, kur National Trust for Scotland, bëri një fushatë publicitare, në përpjekje për të gjetur familje të reja që dëshirojnë të jetojnë në këtë ishull të largët.

Në atë kohë, u regjistruan më shumë se 350 aplikime, por pavarësisht se disa shkuan të jetonin atje, shumë u larguan pas ankesave për premtime të pambajtura dhe menaxhim të dobët.

Përplasja e fundit mes banorëve dhe autoriteteve përgjegjëse bëri që në Nëntor të largohej një familje me 6 persona. 4 fëmijët e tyre ishin të vetmit nxënës në shkollën e ishullit.

Të tjerët, shkruan “Dailymail”, janë larguar për shkak të rregullave strikte mbi pronat, që i ndalon të kenë tokë të tyre apo të ndërtojnë shtëpi.

Tani, autoritetet po mendojnë që t’ia japin kontrollin e zhvillimit dhe rigjenerimit të Canna-s banorëve që kanë mbetur. Komunitetit atje i është dhënë një fond prej 100 mijë paund dhe një çift është bërë gati për t’u zhvendosur vitin që vjen.

Dy persona të tjerë pritet që t’i shtohen banorëve në këtë ishull. Në Canna nuk ka mjek dhe në dimër, vetëm 3 tragete bëjnë një rrugë në javë. Canna është e njohur për varietetin e kafshëve të egra dhe zogjve.

/tvklan.al