Ivanka Trump ka dhënë disa detaje të tjera në lidhje me resortin luksoz “Aman” që ajo dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner do të ndërtojnë në ishullin e Sazanit, në Shqipëri.

Në një intervistë për podcastin Lex Friedman, vajza e ish-presidentit Trump foli për përfshirjen e markave më të mira botërore në këtë projekt. 

“Tani për tani po punoj me bashkëshortin tim. Ne kemi këtë ishull prej 1400 hektarësh në Mesdhe dhe po sjellim arkitektët më të mirë dhe markat më të mira”.

Rezorti luksoz, në pjesën malore të ishullit të Sazanit do të drejtohet nga marka ultra luksoze “Aman” e Vlad Dronin. Ndërsa ushqimi do të ofrohet nga Carbone, nje rrjet restorantesh italo – amerikan i drejtuar nga kuzhineret me famë botërore Mario Carbone dhe Rich Torrisi, fitues të disa çmimeve ndërkombëtare. 

“Aman do të operojë hotelin për ne dhe aty do të ketë vila. Ne kemi Carbone që do të ofrojë ushqimin dhe pijet. Por është e mrekullueshme të bashkosh të gjithë këtë talent dhe për mua që të luaj pakëz dhe të tregoj sërish muskujt e sektorit të pasurive të paluajtshme dhe të argëtohem me këtë”.

Trump, e cila ka punuar për babanë e saj në Shtëpinë e Bardhë së bashku me Kushner, përpara se të tërhiqej për të kaluar kohë me fëmijët e saj në Miami, thotë se po përpiqet të “nderojë topografinë që ekziston”.

“Projekti konceptual i vilave duket shumë modern, por duhet t’i përshtasim në kontekstin e vegjetacionit dhe terrenit që ekziston, dhe jo vetëm të kemi një kuti xhami të bukur. Natyrisht që ju doni xhamin. Dëshironi të shikoni dhe të sodisni atë blu të bukur oqeanike, por çështja është si ta bëni këtë në një mënyrë që nuk duket e përgjithshme dhe të mos jetë një mundësi e humbur për të krijuar diçka të re”.

Bill Gates, Mark Zuckerberg, Kardashians, Angelina Jolie, David Beckham, George dhe Amal Clooney, Tom Hanks dhe anëtarë të familjeve të ndryshme mbretërore janë adhurues të rrjetit Aman, i cili ka mbi 30 prona në 20 vende të botës. Dhomat në resorte kushtojnë mesatarisht rreth 1,400 Dollarë në natë dhe vilat 50,000 dollarë në natë.

Ivanka është parë rregullisht në zyrat e Aman në Nju Jork. Ivanka do të jetë gjithashtu e pranishme për të mbështetur babanë e saj, Donald Trump, kur ai të pranojë zyrtarisht nominimin e Republikanëve për president, raportoi më parë The Post, por ajo nuk do të shërbejë në asnjë cilësi politike, si delegate, mbledhëse fondesh apo ndryshe.

Bashkëshorti i saj, Jared Kushner, e shpalli pak kohë më parë ambicien për të zhvilluar dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri me rrjetin Aman, duke thënë se negociatat ishin në një fazë të avancuar. Kryeministri Rama ka thënë se projekti i dhëndërrit të Trump e kthen Sazanin në xhevahir të kurorës së artë të turizmit në Mesdhe.

Tv Klan