Izraeli lejoi më shumë kamionë me ndihma humanitare të shkojnë në veriun e Gazës për të tretën ditë radhazi, pas një periudhe dy javore bllokimi. Izraeli uli kokën pasi SHBA-ja kërcënoi publikisht dhe me shkrim për embargo armësh në të kundërtën.
Debati të mekurën u zhvendos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shtetet e Bashkuara thanë po vëzhgojnë nga afër veprimet e Izraelit në terren. Ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield tha se deri tani nuk ka një të ashtuquajtur “politikë të urisë” në veri të Rripit të Gazës, politikë që e quajti “të tmerrshme dhe e papranueshme dhe do të pasohej me ndëshkime sipas ligjit ndërkombëtar dhe ligjit të ShBA”.
“Ushqimet dhe furnizimet e tjera duhet të futen në Gaza menjëherë. Dhe duhet të ketë pauza humanitare në të gjithë Gazën për të lejuar vaksinimet dhe shpërndarjen dhe shpërndarjen e ndihmës humanitare,” tha ambasadorja Thomas-Greenfield.
Në Izrael kryeministri Benjamin Netanyahu thirri një mbledhje urgjente për të diskutuar rritjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës. Pas mbledhjes, tre zyrtarë izraelitë i thanë agjencisë “Reuters” se ndihma pritet të rritet në të ardhmen e afërt.
Luftimet ndërkohë vazhdojnë në Gaza, si dhe në Libanin Jugor. Në qytetin Nabatieh Izraeli goditi bashkinë ndërsa zhvillohej një mbledhje e shtabit të emergjencave. Autoritetet thonë se 16 vetë u vranë dhe 52 u plagosën pas sulmit ajror, duke përfshirë kryetarin e bashkisë. Izraeli u justifikua dhe tha se kishte në shënjestër Hezbollahun.
Veprimet e Izraelit po vënë në pozitë të vështirë ShBA-në. Departamenti i Shtetit tha se Uashingtoni kundërshton sulmet ndaj ndërtesave civile në Liban. Deklarata duket e lidhur me situatën politike në ShBA, pasi Izraeli tha se nuk do të ndalojë së luftuari Hezbollahun, tani të dobësuar.
“Hezbollahu është në ankth të madh. Ne do të zhvillojmë negociata vetëm nën zjarr,” u tha ministri i mbrojtjes Yoav Gallant komandantëve ushtarakë.
Izraeli goditi gjithashtu Bejrutin për herë të parë në pesë ditë, ndërsa Hezbollahu u përgjigj duke lëshuar më shumë raketa në veri të Izraelit, ku u plagosën të paktën dy persona.
Paqeruajtësit e OKB-së në Libanin Jugor tha se një tank izraelit hapi sërish zjarr ndaj një kulle vrojtimi, kësaj here me një sulm “të drejtpërdrejtë dhe me sa duket të qëllimshëm”.
Hezbollah njoftoi përleshje të afërta me ushtrinë izraelite në Libanin Jugor. Sipas grupit, ka pasur “viktima të shumta midis trupave armike”.
Klan News