Këngëtari kolumbian me famë botërore, J Balvin, ndau me fansat e tij lajmin se kohët e fundit vuante nga ankthi dhe depresioni.

35-vjeçari shpjegoi se kjo ishte arsyeja pse u shkëput nga rrjetet sociale. Në një seri videosh në gjuhën spanjolle në Instastory, ai tha: “Si çdo njeri, edhe unë jam përballur me disa sfida. Këtë radhë është ankthi dhe depresioni. Mua nuk më pëlqen të sillem sikur çdo gjë është në rregull dhe unë jam i lumtur. Jam si çdo qënie tjetër njerëzore. I brishtë dhe vulnerabël, madje pak më shumë se ju. Shumë shpejt kjo situatë do të kalojë dhe unë do jem përsëri duke bërë shaka. Nuk dua të pretendoj, por dua të jem i drejtë dhe të ndaj ndjesitë e mia të momentit”, vijoi ai.

Në fund të deklaratës, Balvin përdori emrin e tij të vërtetë, Jose, dhe tha: “Ju dua të gjithëve”.

Ky postim erdhi pas një vere të gjatë dhe të vështirë për kolumbianin. Në mes të muajit Gusht ai ndau me fansat lajmin se ishte infektuar me COVID-19 dhe ju desh kohë të shërohej.

Gjatë kësaj periudhe, anuloi shumë intervista dhe performanca.  /tvklan.al