Ngjarja që i mori jetën 14-vjeçarit pranë shkollës “Fan Noli”  në Tiranë kishte nisur nga një sherr në rrjetet sociale. Më pas, autori i dyshuar postoi një foto në Snapchat menjëherë pas ngjarjes, ndërsa qarkulluan video të ndryshme në TikTok ku një 16-vjeçar nga SHBA përshkruante me detaje planin e  përsëritjes  së një tragjedie të tillë.

Nisur nga të gjitha këto, është propozuar mbyllja e TikTok dhe Snapchat në Shqipëri. Oficerja e sigurisë Valbona Biba, shprehet në “Gjenerata Alfa” se është pro këtij propozimi pasi në pjesën më të madhe të rasteve që ajo ka trajtuar, problematika vjen nga rrjetet sociale. Për habi, i bashkohen edhe shumë të rinj të rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, siç nuk mungojnë as qëndrimet kundër.

Ilda: Unë mendoj se duhet të mbyllen.

Ardit Gjebrea: Jo të gjitha, flitet për TikTok dhe Snapchat.

Ilda: Po, duhet të mbyllen.

Ardit Gjebrea: Janë këto të dyja më të rrezikshmet?

Ilda: Po, janë më të rrezikshmet.

Reivis: Unë jam kundër mbylljes së rrjeteve sociale. Patjetër që siç është TikTok, Snapchat ka shumë rrjete sociale, megjithëse këto kohë rinia është më tepër e fokusuar te këto të dyja bashkë me Instagram-in. Patjetër që ndodh ajo që tha oficerja…

Ardit Gjebrea: Shiko, Reivis se tani kaq edhe marrim vesh. Ajo që ndodh në TikTok nuk ndodh në Instagram. TikTok është shumë më agresiv, ka një gjuhë të tmerrshme, është një gjë që nuk e gjen në Instagram.

Reivis: Nuk është e thënë, ti rrjetet sociale i përdor si të duash dhe patjetër që në TikTok mund të kesh më shumë….

Ardit Gjebrea: Nuk është problemi si i përdor, problemi është nga çfarë kontaminohesh.

Reivis: Aty doja të dilja në fakt. Doja të thoja këtë, unë personalisht nuk jam pro mbylljes së rrjeteve sociale që TikTok dhe Snapchat të fshihen kategorikisht në Shqipëri sepse unë që kam një formë komunikimi, argëtimi nuk kam pse penalizohem nga paaftësia e një prindi për të rritur një qytetar të denjë dhe nga paaftësia e qytetarëve për të ndërhyrë në atë ngjarje të shëmtuar që ndodhi dhe për t’i dhënë fund sherrit. Patjetër që duhet të ketë një limit moshe që të zbatohet dhe të kërkojë dokumente specifikë që e identifikojnë se momentalisht thjesht vendos datën e lindjes, mund ta vendosësh sikur ke lindur 10 vite para vitit tënd të lindjes dhe me kaq u mbyll cikli. Mendoj që po, duhet të ketë një limit moshe dhe mënyra që e verifikojnë që je 18 apo 16+. 16+ është rëndom, por mendoj që më e mira do të ishte 18 plus.

Joani mendon se mbyllja e rrjeteve sociale nuk është zgjidhja e këtij problemi. ‘Kampit’ pro  mbylljes i  bashkohet edhe Renisa e cila është kundër servirjes së konflikteve, gjuhës së urrejtjes dhe përmbajtjeve agresive që shfaqen në TikTok./tvklan.al