Zgjedhjet e sotme parlamentare në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen e mediave në mbarë botën, të cilat njëzëri citojnë se zgjedhjet e sotme do të jenë testi që do t’i hapë rrugën Shqipërisë drejt BE-së.

Rrjete televizive e gazeta prestigjioze si BBC, ABC, CBS, Uashington Post, Reuters, The Guardian, AFP, Associated Press e kanë cilësuar ditën e sotme si çelësin që ka mundësinë ti hapë dyert Shqipërisë drejt anëtarësimit të saj në BE.

Reuters citon zëdhënësin e KQZ, Leonard Olli sipas të cilit procesi zgjedhor në vend po ecën qetë dhe normalisht. Rrjeti televiziv BBC shkruan këto zgjedhje janë testi për arritjen e standardeve të demokracisë në vend. BBC citon Brukselin zyrtar që ka bërë thirrje për zgjedhje të lira e të drejta.  Pas ardhjes së demokracisë në vend, thekson rrjeti prestigjioz, duke ia kontribuar meritat kryeministrit Sali Berisha, Shqipëria ka ecur përpara në zhvillimin ekonomik, duke qenë një nga të paktat vende me rritje ekonomike. Zgjedhjet e sotme në Shqipëri do të jenë nën syrin e rreptë të vëzhguesve thotë BBC, pasi nga kjo do të varet edhe rruga e Tiranës zyrtare drejt BE.

Po kështu edhe agjencia e lajmeve AFP e ka  cilësuar ditën e sotme si mundësinë për të rritur aspiratat e Shqipërisë drejt bllokut 27 anëtarësh. Shqipëria ndez motorët e zgjedhjeve, thotë agjencia e cila citon fjalimin e fundit të kryeministrit Berisha që në mitingun e tij përmbyllës u kërkoi shqiptarëve të bashkohen në emër të ëndrrës së përbashkët evropiane.

E po kështu, edhe kryetarin e PS, Edi Rama i cili u kërkoi shqiptarëve të votojnë për ndryshimin.  Lidhur me zgjedhjet e sotme kanë shkruar dhe gazetat prestigjioze, Uashington Post dhe Associated Press, të cilat e shkruajnë se BE ka kthyer tashmë sytë nga Shqipëria. Shqipërisë sot i duhet të tregojë që ka arritur pjekurinë politike,- thotë Uashington Post. Gazeta flet edhe për deklaratat e SHBA-ve dhe BE të cilat janë shprehur se shpresojnë në një proces të lirë e të ndershëm zgjedhor./tvklan.al

Gazetare: Bora Sadriaj