Pas akuzave për korrupsion që kryesocialisti Rama lëshoi një ditë më parë mbi projektin e qeverisë për mbjelljen e 20 milionëve ullinj, Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, ka reaguar duke thënë se Rama nuk ka as projekt dhe asnjë ide për bujqësinë dhe fshatin.
Jemin Gjana: “Nga sipër digës së liqenit të Tiranës, nga e cila pak vite më parë Edi Rama përmbyti disa lagje të kryeqytetit, dje doli dhe këndoi këngën e radhës. Paratë dhe pasuritë e shqiptarëve qenkan vjedhur edhe në programin e ullirit. Edi Rama bredh fshatrave të Shqipërisë duke rrahur daullen e tij politike pa asnjë ide dhe asnjë program për bujqësinë, por kurrë deri më sot nuk ka ditur të thotë se cili nga programet e projektet e reformës strukturore që qeveria Berisha ka zbatuar në këto gati katër vjet në bujqësi është i gabuar dhe se si ai do ta bënte ndryshe këtë reformë”.
Këtë deklarate ministri Gjana e bëri në një konference për shtyp, ku ka sqaruar se qeveria ka akorduar një fond prej 150 mijë dollarësh për studimin e plotë për mbjelljen e 20 milionëve rrënjëve ullinj.
Ky studim pritet të përfundojë në Qershor të 2009-tës dhe në programin buxhetor 2010 qeveria do të përfshijë edhe nisjen e realizimit të projektit.
Mbjellja e plotë pritet të zgjasë 5 vjet, ndërsa kostoja e zbatimit llogaritet afro 250 milionë dollarë./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka