Ministrat e rinj nuk do të marrin votat e Partisë Demokratike në parlament. Deputeti Jemin Gjana shprehet se vota e opozitës në këtë rast do të jetë kundër kabinetit Nano.

Jemin Gjana: Sigurisht që s’bëhet fjalë që opozita mund të bëhet pjesë e një miratimi të një strukture qeveritare e cila gjithsesi ka brenda konfliktin, ka brenda mungesën e qeverisjes.

Gazetarja: Do të jeni prezentë në seancë?

Jemin Gjana: Normalisht që do të jemi sepse natyrisht që do të themi fjalën tonë.

Votat e opozitës nëse u bashkëngjiten votat e përkrahësve të Metës rrezikohet bllokimi i qeverisë. Ndërkaq pas deklaratave të Topallit dhe republikanit Mediu ka mbajtur të njëjtin qëndrim legalisti Spahia i cili thotë se Presidenti i Republikës Alfred Moisiu të ndërhyjë për zgjidhjen e krizës socialiste me krijimin e një qeverie teknike.

Ekrem Spahia: Presidenti i vendit duhet të ndërhyjë që të krijohet një qeveri në përbërje të secilës të jenë të gjitha Partitë Parlamentare duke krijuar një qeveri që ti shërbejë shqiptarëve dhe jo duke zgjatur krizën.

Qëndrimi i presidentit Moisiu po zhgënjen opozitën. Kreu i shtetit kritikohet nga legalistët për mosndërhyrjet e tij si në rastin e zgjidhjes së çështjeve të pronave ish të përndjekurit politik apo miratimin e kodit të ri zgjedhor./tvklan.al