Pas humbjes me Elbasanin, te Partizani kërkojnë të rikthehen të fitorja dhe sfidojnë Vllazninë në transfertë.

Trajneri Arbër Abilaliaj u shpreh se skuadra që ai drejton, nuk e diskuton “Final 4”, pavarësisht rezultateve të fundit.

Tekniku i të kuqve tha se te kryeqytetasit nuk mendojnë për krizën, pasi sipas tij e shikojnë gotën gjysmë plot.

“Ne ishim përgatitur për të bërë një rezultat të mirë ndaj Elbasanit, por e them përsëri jam i kënaqur me progresin që ka bërë ekipi në faza të caktuara të lojës. Patjetër kanë shumë punë për të bërë, por ai është një kapitull i mbyllur dhe jemi të fokusuar te ndeshja e radhës.

Të them të drejtën nuk e kemi menduar asnjëherë krizën sepse ne e shikojmë gotën gjithnjë gjysmë plot duke pasur parasysh performancën dhe mundësitë që ka ekipi mund të shkojë akoma më lart. “Final 4” nuk e kemi diskutuar asnjëherë , nuk duam ta diskutojmë pavarësisht se si rrodhën ngjarjet në një ndeshje teke në Elbasan. Është një moment siç e kanë pasur të gjitha skuadrat e tjera, është një moment për tu kaluar, një moment që na bën edhe më të fortë bashkë me njëri-tjetrin për ta kaluar këtë moment ‘jo’”, tha ai.

Abilaliaj vlerësoi Vllazninë, duke i cilësuar si kundërshtar të vështirë, ndërsa shtoi se skuadra që ai drejton po kalon në tur force.

“Të gjitha ndeshjet në kampionat janë të vështira. Të gjitha ndeshjet kanë historinë e vet, episodet e veta. Përballë kemi një kundërshtar i cili është në një situatë komode, lufton për objektivat e veta. Është një ekip i cili ka pasur qëndrueshmëri në këtë moment të sezonit. Gjithsesi ne i dimë shumë mirë cilësitë tona dhe ekipit që drejtojmë, kështu që jam shumë i bindur se kudo që të luajmë do të shkojmë për të marrë maksimumin.

Po kalojmë një tur force duke pasur parasysh edhe të gjitha vështirësitë që kanë ndodhur në klub, me ndryshimin e trajnerit, ndryshimin e filozofisë së lojës. Janë shumë gjëra të cilat duan kohën e vet për tu automatizuar”, deklaroi Abilaliaj.

Ndeshja Vllaznia-Partizani, do të luhet në Shkodër të Mërkurën, duke nisur nga ora 16:30. /tvklan.al