Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimit të Organizuar në DPPSh, bazuar në inteligjencën informative për një shtetas që mbante sende të kundërligjshme në tabakinon e tij, në Budull, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Tabachino”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi O. D., 32 vjeç, banues në Krujë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Gjatë kontrollit në një subjekt (tabakino), në posedim nga 32-vjeçari, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri kallashnikov me municion luftarak, dhjetëra doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis, steka me cigare të dyshuara të kontrabanduara, dhe shuma parash. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë./tvklan.al