Prokuroria e Tiranës ka regjistruar kallëzimin penal që këshilltarët e djathtë të Bashkisë së Tiranës bënë ndaj Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.
Kallëzimi nuk është regjistruar në emër konkret, edhe pse kërkesa e demokratëve për 7 shkelje të rënda ligjore, që sipas tyre sollën vdekjen e 17 – vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, është në emrin e Kryebashkiakut.
Kallëzimi është bërë në datën 6 Shtator dhe pas verifikimeve të kryera është vendosur që ai të regjstrohet në organin e akuzës, pasi ka nevojë që të kryhen disa veprime hetimore.
Mësohet se është kërkuar nga Bashkia e gjithë procedura e ndjekur për mënyrën se si menaxhohet landfilli i Sharrës, nga firma që ka fituar tenderin për ndarjen e mbetjeve të riciklueshme.
Sqarohet se kallëzimi është regjistruar për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe kompetencave, punësim i paligjshëm, përfitim i paligjshëm i interesave dhe shkelje e barazisë në tendera.
Nëse gjatë hetimit verifikohet se zyrtarët e Bashkisë kanë kryer shkelje, procedimi do të regjistrohet në emër të tyre.
Në kallëzimin e këshilltarëve të Partisë Demokratike thuhet se paligjshmëria ka nisur me krijimin e kompanisë “Eco Tirana” dhe me dhënien 49 përqind të kapitaleve një firme italiane pa garë, pa konkurs, pa transparencë dhe më pas me kushtet e rënda të paligjshmërisë në punën që bëhej në landfill.
Dosja po hetohet nga prokurori Julian Zonja, i cili ka në dorë edhe hetimin për vdekjen e 17 – vjeçarit Ardit Gjoklaj.
Tv Klan