Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Eduart Selami nuk pranon përfundimisht të kandidojë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Pas shumë ofertave të bëra, Selami ka vendosur, mos të kthehet në atdhe, për të rihyrë në politikë. Mësohet se përfundimisht, ai i ka thënë Jo ftesës për të kandiduar kryeqytet. Eduart Selami ishte kandidatura më e preferuar e PD, për garën e Tiranës.

Ish-kryetari i PD është njeriu më i votuar pozitivisht në të gjitha nivelet e PD. Kandidatura tjetër që ka shanset më të mëdha për t’u bërë zyrtare është ajo e Edmond Lekës. Biznesmeni i njohur është shumë i pëlqyer për kryetarin e PD Berisha.

Sali Berisha:- “Absolutisht janë emri i zotit Leka, është një nga emrat prestigjoz, të listës që ju qarkulloni dhe një nga emrat do të thosha më serioz të asaj liste”.

Mësohet se një ditë më parë, Berisha ka pasur takim me Lekën. Berisha e ka ftuar Lekën, të kandidojë për partinë e tij në Tiranë. Edmond Leka ende nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare për këtë propozim të demokratëve. Ndërsa përsa i përket kryetarit të reformatorëve Genc Pollo, duket se emri i tij do të mbetet jashtë loje.

Sali Berisha:- “Unë kam konstatuar, se zoti Pollo ka shpallur kandidaturën në emër të partisë së tij dhe unë e konsiderojë, si kundër e kanë shpallur zoti Shehu dhe unë besoj se gjëja më legjitime për një kryetar partie është të kandidojë për partinë e tij”.

Qëndrimi i Berishës ndaj aleatëve, mesa duket do të jetë i rezervuar për dy bashkitë më lakmuese, ato të Tiranës dhe të Durrësi. Përsa i përket bashkëpunimit në zona të tjera për zgjedhjet lokale, PD do të jetë e hapur./tvklan.al