Është arrestuar autori i vrasjes në fshatin Dojan të Tropojës, ngjarje që ndodhi të Premten. Bëhet fjalë për 33 vjeçarin Flordian Mulaj i cili qëlloi me armë zjarri Artur Dautin brenda një lokali. Policia thotë se ai u gjet në një banesë të braktisur në bjeshkët e fshatit Markaj.


Sipas raportimeve të deritanishme, viktima dhe autori ishin në gjendje të dehur në momentin që ka ndodhur vrasja. Megjithatë, ata kishin pasur probleme të mëparshme me njëri-tjetrin.

“Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vrasjes së ndodhur në fshatin Dojan. Strukturat operacionale të DVP Kukës dhe ato të Komisariatit të Policisë Tropojë, si rezultat i kërkimeve dhe ndjekjes së pandërprerë policore, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit F. M., 33 vjeç, banues në Bajram Curri. 33-vjeçari u lokalizua në një banesë të braktisur, në bjeshkët e fshatit Markaj. Shtetasi F. M., dyshohet se më datë 22.11.2024, në fshatin Dojan, vrau me armë zjarri shtetasin A. D”, njofton Policia.

/tvklan.al