Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti foli për thashethemet se sulmuesi i tij, Kylian Mbappe, po vuan nga problemet e shëndetit mendor.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes të së dielës në La Liga ndaj Leganes, gazetarët e pyetën italianin nëse gjendja e kapitenit të Francës është normale.

Në media është rapotuar se pavarësisht se ka kompletuar lëvizjen e tij të ëndrrave në kryeqytetin spanjoll, fituesi i Kupës së Botës 2018 ndihet i stresuar, sepse ka luftuar për t’u përshtatur si sulmues qendre, e kjo ka ndikuar në gjendjen e tij shpirtërore, raporton spanjollja SPORT.

Edhe trajneri i tij Didier Deschamps, e ka lënë 25-vjeçarin jashtë në dy sfidat e fundit të Ligës së Kombeve, dhe, edhe kjo ka ndikuar në qetësinë e tij. Në 7 takimet e fundit, Mbape ka shënuar vetëm 1 gol.

Por Ancelotti mendon se situata është normale për futbollistin e tij.

“Mua nuk më duket se ka ndonjë problem, e shoh të qetë, e të lumtur që ndodhet këtu! Nuk e tregon këtë, nuk më duket e drejtë që të spekulohet me këtë gjë! Mungesa e golave u ka ndodhur të gjithë sulmuesve të mëdhenj, nuk e shoh të mërzitur, e shoh të motivuar dhe të lumtur. Golat do të vijnë, është vetëm çështje kohe! Ai do ta tregojë së shpejti!”

Golat nuk janë problemi i vetëm për Mbappe. Prokuroria suedeze ka nisur një hetim ndaj sulmuesit të Real Madridit, për një incident të ndodhur në një hotel në Stokholm më 10 Tetor. Ndaj tij ka një akuzë përdhunimi në një hotel në qendër të kryeqytetit.

Kapiteni i Francës ndodhej në Stokholm në një udhëtim privat me disa prej miqve të tij në Tetor. Në 11 takime në La liga, 25-vjeçari ka shënaur 6 gola dhe ka dhënë edhe 1 asist. Në total, ai është aktivizuar 943 minuta në kampionat dhe 303 në Ligën e Kampioneve.

Klan News