Autoritetet në Muriqan kanë arritur të kapin një sasi prej 4 kilogramë e 476 gramë heroinë, më e madhja e këtij lloji e kapur nga policia shqiptare për këtë vit.
Në një njoftim për mediat, thuhet se droga u zbulua në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve të forta narkotike. Kështu, autoritetet ushtruan kontroll të detajuar në mjete në pikën dalëse drejt Malit të Zi.
“Në vijën e dytë të kontrollit, në automjetin tip “Renault” me targë AA 320 LY, me drejtues Petraq Grekun u konstatua se në gomat e makinës, në brendësi të disqeve ishte fshehur lëndë narkotike. Ajo rezultoi 4 kilogramë e 476. 6 gramë heroinë, sasia më e madhe e këtij lloji e kapur këtë vit nga Policia Shqiptare”,
thuhet në një njoftim të policisë së Shkodrës.
Për pasojë, specialistët për Hetimin e Narkotikëve vunë në pranga 57-vjeçarin Greku, banues në Tiranë, i cili udhëtonte drejt Italisë./tvklan.al