Fatmir Konja: “Ministria e Brendshme rikonfirmon edhe njëherë faktin e ecurisë normale të procesit të pajisjes së qytetarëve pa pasaportë me letërnjoftimin elektronik. Deri ditën e djeshme kanë aplikuar 1 milion e 150 mijë shtetas, për arsye sigurie aplikimet ngarkohen në sistemin e kontrollit të koncesionarit pas aplikimit. Deri tani janë hedhur në sistem dhe dërguar në ministrinë e brendshme 1 milion e 13 mijë aplikime nga të cilat 420 mijë i takojnë atyre pa pasaportë. Por numri total i personave pa pasaportë që kanë aplikuar deri tani është më shumë se 460 mijë. Ministria e Brendshme shpreh keqardhjen për dezinformacionin që bën PS duke tentuar të spekulojë me korrektësinë e shifrave zyrtare të komunikuara nga kjo ministri. PS ka konfirmuar me korrespondencën e saj zyrtar, por edhe takimet me diplomatë të huaj se nuk pret që të aplikojnë për letërnjoftimet elektronike më shumë se 500 mijë qytetarë nga grupi i atyre që janë pa pasaportë. Ministria e Brendshme i ka dërguar sot PS listën emërore të personave pa pasaportë që kanë aplikuar deri më tani si dhe listën e personave pa pasaportë që kanë mbetur ende pa aplikuar. Ministria e brendshme i ka dërguar PS prezencës së OSBE-së, misionit të ODIHR-it analizën e saktë se nëpërmjet 476 stacioneve të aplikimit, që sot punojnë 7 ditë të javës nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 21 të mbrëmjes janë në dispozicion kapacitete për të aplikuar edhe më shumë se 400 mijë qytetarë të tjerë. Ministria e Brendshme shpreh keqardhjen për tentativat e pandërprera të PS për të dekurajuar këtë proces.”/tvklan.al