Erzeni bën surprizën e madhe. Shijakasit morën fitoren e parë sezonale, pasi mposhtën 3-2 Besën në transfertë.

Disfatë surprizuese për skuadrën kavajase, që vazhdon të zhgënjejë në garën për ngjitjen në elitë. Kjo humbje e lë Besën në vendin e tretë me 39 pikë, plot 8 pikë më pak se vendi i parë. Erzeni pavarësisht fitores, mbetet në vendin e fundit me 7 pikë.

Vora vazhdon e qetë në krye të renditjes, pasi mposhti 3-1 në transfertë Lushnjën. Skuadra e Arian Bellait numëron 47 pikë të grumbulluara në vendin e parë, duke lënë pas të gjithë të tjerët. Në krahun tjetër, Lushnja renditet në vendin e gjashtë me 24 pikë, 1 më shumë se Apolonia e vendit të shtatë.

Fierakët triumfuan minimalisht në një transfertë të vështirë si ajo ndaj Burrelit. Këta të fundit mbeten në vendin e katërt me 31 pikë.

Fitore minimale mori edhe Kastrioti ndaj Kukësit. Ky sukses, i ngjit krutanët në kuotën e 29 pikëve, në vendin e pestë, ndërsa verilindorët mbajnë vendin e nëntë me 20 pikë. /tvklan.al