Pas takimit me pedagogët dhe drejtuesit shkencorë lidhur me situatën pas tërmeteve, Presidenti Meta i ka bërë katër kërkesa qeverisë.

Kreu i shtetit kërkon fillimin e punës për azhornimin dhe kompletimin e një harte të re Fizike të Riskut për Shqipërinë. Gjithashtu Meta kërkon edhe rishikim të buxhetit për vitin 2020, zbatimin e eurokodeve në ndërtime dhe plotësimin e legjislacionit të planifikimit urban me elementë të rinj sigurie.

“Pas takimit me pedagogët dhe drejtuesit shkencorë, lidhur me situatën e krijuar pas tërmetit, i kam kërkuar sot Qeverisë:

– Fillimin e punës sa më parë, për azhornimin dhe kompletimin e një Harte të re Fizike të Riskut për Shqipërinë në të cilën do të përfshihen dhe saktësohen zonat me rrezik sizmik, si dhe të gjitha territoret e kërcënuara nga erozionet, përmbytjet, rrëshqitjet, zjarret, etj;

– Zbatimin e detyrueshëm në të gjithë territorin e vendit të sistemit të eurokodeve në ndërtimet civile dhe objektet e banimit, pa asnjë përjashtim;

– Plotësimin e legjislacionit të planifikimit urban me elementë të rinj sigurie, sipas procedurave bashkëkohore, në projektimin dhe ndërtimin e objekteve të ndërtimit;

– Në kuadër të rishikimit të Buxhetit 2020, për përballimin e pasojave tepër të rënda, duhet të planifikohet edhe mbështetja e domosdoshme financiare për institucionet përkatëse të kërkimit shkencor”, njoftoi Meta këtë të martë.

/tvklan.al