Një ndeshje miqësore është realizuar mes dy skuadrave, ajo shqiptare që përbëhet nga artistë, futbollistë, aktorë, moderatorë si dhe skuadra europiane e përbërë nga ambasadorë, trupë dhe staf diplomatik. Kauza kryesore e kësaj ndeshje miqësore ka qenë solidariteti, diversiteti, përfshirja dhe të drejtat e njeriut.

Të pranishëm në këtë ndeshje nga ku dolën edhe fitues me rezultatin 3:2, personazhe publikë shqiptarë për emisionin “Jo vetëm Modë” në Tv Klan kanë shprehur emocionet dhe mesazhin e kauzës për të cilën u bënë pjesë e kësaj ndeshje. Emra të njohur në ekranet e televizioneve tona, por jo vetëm ishin pjesë e kësaj kauze.

Edi Oga: Nisma ishte e përfaqësisë së komunitetit Europian këtu në Shqipëri. Morën pjesë diplomatë dhe nga ana tjetër ishim ne gazetarë, artistë, moderatorë, analistë sportiv, disa vajza që janë sportiste.

Gazmend Paja: Kjo është një ndeshje që përtej miqësisë ka edhe disa qëllime specifike pse jo të sensibilizojmë sa mundemi përtej lojës që bëjmë. Ishte një lojë e bukur. Bëmë miq.

Ardit Roshi: Çdo kauzë që na nxjerr pak nga ajo rutina jonë e lodhshme dhe e mërzitshme që pastaj ka për qëllim të mbështesë atë shtresë të popullatës që nuk është edhe aq fatlume sa ne është një kauzë që duhet ndjekur patjetër. Pastaj imagjinoni kur ajo mbështetet nga futbolli, edhe pse jashtë forme si ne, sigurisht që është një gjë që bëhet me shumë kënaqësi, por duhet të bëhet më shpesh.

Alban Xhihani: U kënaqëm që u mblodhëm njëherë se kishim një vit e gjysëm pa u mbledhur se ne këtë ekipin e kemi krijuar ka një vit e gjysëm. “All Stars Albania” e kemi quajtur dhe u bë mbarë Bashkimi Europian që të na mbledhë dhe ishim gati. Sa herë kemi tentuar për t’u mbledhur njëri ka një punë dhe u desh Europa të ndërhynte për të na bërë bashkë. Unë kam ardhur nga komenti nga ‘Air Albania’ mbarova dhe erdha direkt për të kapur këtë ndeshje, por u kënaqëm. Jemi nga fusha të ndryshme, nga gazetaria, nga televizioni, moderator, kemi aktorë, ish-arbitra. Është një grup shumë i këndshëm. Ne duam në fakt që ta zgjerojmë këtë ekip që të marrim pjesë edhe në turnetë jashtë që na kanë bërë disa ftesa, por të shohim. Me këta të Europës kemi filluar të merremi vesh dhe mund të bëhemi njëherë në muaj që të lozim. Kisha dëshirë që të bëja një ndeshje për dhunën kundër grave që është një temë shumë e prekshme së fundmi, por që besoj do të organizohemi pas kampionatit Europian sepse e kemi punë dhe e kemi në Tv Klan mbi të gjitha dhe gjithë fokusi i Tv Klan do të jetë tek kampionati Europian që fillon në 14 Qershor deri në 14 Korrik.

Marin Mema: Tregojmë që shqiptarët janë pjesë e Europës, do të jemi pjesë e Europës, por do të tregojmë edhe që do të jemi pjesë e Europës si shqiptarë. Do të dimë të tregojmë që jemi të denjë për të hyrë në Bashkimin Europian dhe do ta ripërsëris do të jemi të denjë të hyjmë si shqiptarë me simbolet tona, me krenarinë tonë, me historinë, traditën dhe trashëgiminë tonë. Kjo ka rëndësi mbi gjithçka. E rëndësishme është që është për një kauzë të drejtë, për të ndihmuar njerëz që kanë nevojë. Sigurisht shpresoj shumë që të bëhemi gjithmonë e më bashkë për të ndihmuar të gjithë njerëzit që janë në vështirësi.

Gjithashtu emocionet e kësaj ndeshje nuk kanë munguar edhe për ata të cilët fushën e blertë e kanë pjesë të pandashme të jetës së tyre. Ata shprehen se duhen kauza të tilla pasi sjellin solidaritetin e njerëzve dhe përçojnë mesazhe pozitive.

Andi Lila: Sapo na propozuan që të bëjmë një ndeshje për javën e Europës, pranuam menjëherë dhe ishte një kënaqësi e madhe. Normalisht u bashkuam ne shokët nga Shqipëria, por edhe delegacioni i ambasadorëve nga Europa që me të vërtetë ishte kënaqësi për të gjithë ne. Duhen kauza të tilla sepse solidarizohen edhe njerëzit. Patjetër do të doja që stadiumi të ishte plot, por megjithatë kishte prani njerëzish edhe mendoj që kauza të tilla të bëhen edhe në vazhdimësi sepse përçojnë vetëm mesazhe pozitive.

Rabie Tota: Kauza ishte për strehën, gjithëpërfshirjen dhe solidaritetin e shtresave në nevojë. U ndjeva shumë mirë edhe pse kisha gati gjashtë muaj që nuk bëja stërvitje, por ndjesia ishte shumë pozitive.

Ndër të tjera edhe pse nuk u shpallën fitues edhe përfaqësuesit europianë në këtë ndeshje shprehën emocionet e tyre. Ata shprehen të zhgënjyer për humbjen, por më e rëndësishme për ta ishte kauza e kësaj ndeshje.

Christian Steiner, ambasadori austriak: Gjithmonë ka qenë kënaqësi të luajmë futboll me ekipin evropian. Për herë të parë kam luajtur katër vjet më parë në Gjirokastër dhe tani kam luajtur me nje ekip jo qeveritar që më duket shume e rëndësishme. Një organizatë joqeveritare e quajtur “Streha”, ofron strehë për njerëzit në nevojë.

Ivan Schad, shef projektesh, administrator Ambasada Gjermane: Ishte kënaqësi të luanim sot me diplomatë të ndryshëm kundër të përzgjedhurve të skuadrës shqiptare e cila ishin një miks i burrave dhe grave që jepte idenë se për çfarë bëhej fjalë kjo ndeshje pikërisht për diversitetin dhe solidaritetin. Të gjithë duan ta fitojnë, përfshirë edhe mua. Jam shumë i zhgënjyer që humbëm 3 me 2, por e rëndësishme është kauza jonë ditën e sotme./tvklan.al