Leku ka humbur terren javën e fundit në raport me monedhën e përbashkët evropiane.
Pas disa javëve në të cilat monedha vendase u forcua në kursin e këmbimit me euron, duke shkuar deri në kufirin e poshtëm të 128 lekëve, pas zgjedhjeve parlamentare tendenca në tregun tonë valutor ka ndryshuar në favor të monedhës evropiane, e cila po i rikthehet nivelit të 130 lekëve.
Agjencitë e këmbimit valutor në kryeqytet thonë se këtu ka ndikuar edhe largimi i një pjese të mirë të emigrantëve pasi votuan në 28 Qershor.
“Kursi lek në euro tani ka filluar të forcohet domethënë në krahasim me ça ishte para zgjedhjeve tani domethënë pas zgjedhjeve si duket ngaqë edhe emigrantët kanë ikur ka filluar që po shkon drejt 130.”
Prej fillimit të vitit leku është nënçmuar kundrejt euros teksa ka shkuar nga niveli i 123,5 lekëve në janar në rreth 133 lekë në fund të muajit Maj.
Me gjithë luhatjen e ditëve të fundit, sipas specialistëve të ekonomisë, pritshmëria për rritjen e flukseve turistike gjatë 2 muajve në vijim mendohet të forcojë më tej lekun në raport me euron./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro