Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami së bashku me anëtarët e tjerë të KLGJ-së po raportojnë në lidhje me veprimtarinë e institucionit të drejtësisë dhe sistemit gjyqësor gjatë vitit 2023.
Gjatë fjalës së saj, Llagami është shprehur se po punohet me 60% më pak të gjyqtarëve se kapacitetet e duhura teksa shton se po punohet me ritme mjaft të shpejta edhe pse me mungesa.
Naureda Llagami: Kemi vetëm 247 gjyqtarë në detyrë deri në fund të vitit 2023. Pra, po ta llogarisësh i bie më pak se 60% e kapacitetit dhe me këtë kapacitet, po ky sistem po punon me ritme shumë të forta. Në asnjë moment, sistemi nuk ka ulur ritmin e punës. Me hartën e re gjyqësore kemi një lloj të ekuilibrit dhe shpërndarjes nëpër gjykata. Nuk kemi problematika përveç Gjykatës së Tiranës, në gjykata të tjera, dosjet përfundojnë brenda afatit dhe po të shohësh norma e rendimentit është tek 90-100%.
Më tej, Llagami ka deklaruar se problematike është Gjykata e Tiranës për çështjet civile dhe ajo e Apelit.
Naureda Llagami: Problematike është Gjykata e Tiranës për çështje civile dhe për këtë arsye tek strategjia e kemi identifikuar dhe e kemi thënë se çfarë masash do të marrim qoftë edhe në delegim kompetencash, ka masa konkrete që ne kemi menduar. Gjykata e Apelit është problematike tani. Pa dashur të përfshij Gjykatën e Lartë sepse Gjykata e Lartë në bërjen funksionale komplet ka një udhëzues se si po e lufton backlogun. Sot ne jemi fokusuar në 2 Apele, kemi marrë mbështetje dhe nga Ambasada Amerikane me staf plus për këto 2 Apelet në mënyrë që t’i bëjmë Apelet sa më eficente.
/tvklan.al