Me të njëjtën strategji dhe me të njëjtat deklarata, Partia Socialiste sulmon krerët e degëve që kanë kërkuar respektimin e statutit dhe largimin e Edi Ramës nga drejtimi i partisë, pas humbjes në zgjedhje.

Me tekst identik, të hartuar ndoshta në zyrat e selisë rozë dhe të lexuar në Shkodër e Lushnje, një pjesë e asambleve të këtyre dy rretheve janë ngritur kundër kryetarëve të këtyre dy rretheve pas deklaratave publike se Rama duhet të ikë.

Dodë Mehmetaj: “Ne mbështesim pa asnjë rezervë liderin e PS zotin Edi Rama dhe strukturat e kësaj partie në realizimin e këtyre kërkesave pas asnjë ekuivok. Këto qëndrime dhe veçanërisht kërkesa për largimin e liderit të PS, janë të pamoralshme, të gabuara dhe kanë si qëllim vetëm fshehjen e përgjegjësisë direkte dhe të rëndë vetë zoti Gogu. Për aktivitetin e tij tërësisht të munguar, jo vetëm gjatë fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, por dhe që nga dita që ky zotëri është zgjedhur në këtë detyrë.”

Shefqet Ahmetaj: “Mbështesim pa asnjë rezervë liderin e PS zotin Edi Rama dhe strukturat e kësaj partie në realizimin e këtyre kërkesave pas asnjë ekuivok. Këto qëndrime dhe veçanërisht kërkesa për largimin e liderit të PS, janë të pamoralshme, të gabuara dhe kanë si qëllim vetëm fshehjen e përgjegjësisë direkte dhe të rëndë vetë zoti Gogu. Për aktivitetin e tij tërësisht të munguar, jo vetëm gjatë fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, por dhe që nga dita që ky zotëri është zgjedhur në këtë detyrë. ”

Këto tekste të njëjta janë lexuar pa asnjë ndryshim të hënën nga Mehmetaj në Shkodër e të martën nga Ahmetaj në Lushnje. Replay!

Kryetari i Partisë Socialiste të Lushnjës, Leonard Gogu, thotë se kjo është një lëvizje e Edi Ramës për të eliminuar zërat ndryshe dhe për të shkelur statutin që ai vetë e ndryshoi dhe aspak një qëndrim i anëtarësisë socialiste.

Leonard  Gogu: “Këto lloj qëndrime hakmarrëse ose qëndrime shumë të nxitura nga kreu i PS në qendër ndaj mendimit ndryshe, janë krijuar tashmë një ves i tij. Deri në kohën kur Edi Rama nuk ka qenë kryetar i PS e përkrahte mendimin ndryshe. Mendimi ndryshe ka alternativa ndryshe dhe unë nuk i kërkova asgjë veç zbatimit të statutit të kryetarit të partisë. Kurse kryetari i PS në qendër vazhdon të shkeli me të dyja këmbët statutin e PS, që është kushtetuta e jonë e socialistëve. Nëpërmjet këshilltarëve të tij përgatit një deklaratë në zyrat e qendrës atje dhe ua jep këtyre manekinëve për ti lexuar.”

Por Leonard Gogu, një prej krerëve lokale socialistë më të votuar sipas parimit një anëtar një votë, thotë gjithashtu se me këto forma, Rama po e shkatërron Partinë Socialiste.

Leonard Gogu: “Më vjen shumë keq për gjendjen ku katandisen zhvillimet në PS, në Lushnje dhe ndoshta në të gjithë Shqipërinë. Asambleja nuk ka të drejtë t’ia mbledhë Ergysin, nuk ka të drejtë ta mbledhë këshilltari i Edi Ramës, Edi Rama po ngatërron drejtimin e bashkisë me drejtimin e partisë. Edi Rama ta bëjë luftën atje ku duhet ta bëjë, jo me anëtarësinë, me njerëzit që kanë moral dhe njerëzit që janë përkushtuar dhe kanë kontribuar për PS-në.”

Me këto lëvizje në fakt ndodhi ajo që pritej. Qëndrimi i Ramës në krye të PS-së në shkelje të statutit ka futur në sherr drejtuesit në bazë, duke thelluar krisjen në këto struktura jetike të partisë më të madhe në opozitë, çka po i shkakton asaj dëmin më të madh pas lënies në opozitë edhe për katër vjet të tjera./tvklan.al