Shkarkimi i ujit nga digat e hidrocentraleve kryesore në vend do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim. Drejtori i Korporatës Elektroenergjetike, Muharrem Stojku bëri të ditur se të deyruar nga prurjet e mëdha të ujit në kaskadën e Drinit, të cilat pritet të jenë në nivele të larta edhe gjatë javës së ardhshme, KESH ka marrë masa për të mbrojtur digat duke filluar shkarkimin e ujit.
Situata aktuale hidrike, që ka çuar në përmbytje të një sërë zonash ne Ultësirën e Shkodrës, ka dhe anën pozitive. KESH njofton se ka regjistruar sot nivelin më të lartë të eksportit të energjisë, teksa ka nxjerrë jashtë vendit 11,5 milionë kilovatë orë në ditë.
Stojku tha se falë prodhimit maksimal dhe shkarkimeve deri në 800 metra kub ujë në sekondë, niveli i ujit në kaskadën e Fierzës pritet të ulet me rreth 3 metra gjatë këtyre ditëve, duke shkuar në nivelin optimal të 290 metrave.
Tv Klan