Udhëtimi me taksi në Tiranë tashmë nuk ka asnjë ndryshim nga kryeqytetet e tjera evropiane.

Me vendim të këshillit bashkiak tarifat e këtij shërbimi kanë pak ditë që kanë ndryshuar dhe çdonjërit prej nesh do t’i duhet të paguajë një shumë fillestare prej 250 lekësh për 2 kilometrat e para.

Tarifat janë të ndara në tre zona, A, B dhe C në varësi të kilometrave që përshkruajnë. Sa më shumë kilometra të bëhen aq më pak lekë paguhet për kilometrat në vijim, por tarifat e reja ndryshojnë për ditët e festave dhe gjatë udhëtimeve gjatë natës.

Kështu në këto dy raste dy kilometrat e para janë 300 lekë dhe jo më 250 lekë. Sipas taksistëve vendosja e këtyre tarifave është shumë mirë, pasi dhe për klientët kjo është transparente.

Etem Dafa: “Tarifat e reja janë normale, janë të rregullta, janë tarifa që iu interesojnë të gjithëve. Janë të ndara ditën, natën, ditë festash. Të interesuarit që duan të marrin taksi janë të kënaqur në përgjithësi.”

Ndërkohë sipas drejtorisë së metrologjisë janë duke u kontrolluar të gjitha taksitë që kanë taksimetër për të verifikuar koalidimin me këto tarifa.

Myrvete Pazaj: “Çdo mjet taksi duhet të pajiset me taksimetrin. Fatmirësisht edhe për Tiranën kanë dalë tarifat. Është një detyrim që e kryen këshilli i bashkisë së Tiranës. Ne na janë vënë në dispozicion tarifat e reja dhe në këtë moment ne jemi duke bërë verifikimin e taksimetrave.”

Tarifat e reja janë përgatitur dhe për taksitë 8+1 duke nisur me një tarifë bazë për 2 kilometrat e parë prej 4 qind lekësh./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami