Këshilli bashkiak i Tiranës i ka kërkuar kryetarit të Bashkisë që të prezantojë personalisht ose përmes të deleguarve të tij, Planin Rregullues të Tiranës. Plani i shumë përfolur duhej të paraqitej në mbledhjen e paradites, por kryetari i këshillit ka refuzuar prezantimin e tij me regjistrim, të mundësuar nga një studio private, pasi kjo mënyrë nuk lejon vërejtjet mbi paqartësitë e këtij projekti.
Sokol Dervishi: “Nuk mund të dëgjojmë një zotëri që nuk është prezent sepse ka një vendim KRT-je për këtë. Mundësisht të vijnë edhe anëtarët e KRT-së që kanë marrë këtë vendim, në qoftë se këshilltarët do të kenë ndonjë pyetje për ta pse ata kanë arritur në këtë konkluzion. Pa dyshim dhe eksperti ndërkombëtar që ju keni kontraktuar do të ishte mirë të ishte prezent, por mbi të gjitha ne jemi këshilli bashkiak i Tiranës që marrim vendime për të ekzekutuar nga ekzekutivi i bashkisë së Tiranës, përfaqësuar nga kryetari dhe administrata e tij dhe as nuk dëgjojnë dhe as nuk mund të komunikojmë me institucione ekstra vendore sikurse është edhe agjencia në fjalë.”
Ferdinand Pone: “Është po kaq e rëndësishme që bashkia vetë ta paraqesë, edhe sikur të ishte këtu ai, nuk është se vjen ai me të tijën. Në një lloj mënyrë ka kaluar në një filtër administrativ nëse e ka kaluar. Besoje dhe të KRT-s së bashkisë së Tiranës dhe e gjej fare pa vend që ne të dëgjojmë këtë dokumentar.”
Në këtë mbledhje të parë të këshillit bashkiak, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, u zëvendësuan edhe 10 këshilltarët që tashmë kanë marrë mandatin e deputetit. Kjo mbledhje është gjithashtu e para prej vitit 2007, ku Partia Socialiste nuk ka më mazhorancën./tvklan.alGazetare: Brunilda Cami