Pas tre muajsh debate dhe kundërshtime nga ana e këshilltarëve demokrat dhe ato të Lëvizjes Socialiste për Integrim, buxheti i Tiranës ka arritur të marrë miratimin e shumicës falë ndryshimit të votës së këshilltarëve të LSI-së. Kryetari i këshillit, Sokol Dervishi, në të njëjtën kohë edhe për paqësues i LSI, shprehet se qëndrimi i tyre ndryshoi pasi u plotësuan kërkesat për detajim të disa zërave në buxhet.

Sokol Dervishaj: “Në momentin që kemi pasur në tryezën e çdo këshilltari detajimin e fondit të komunitetit që ka qenë një nga kërkesat tona kryesore dhe zbërthimin e strukturës së ndërmarrjeve të vartësisë së bashkisë Tiranës dhe tabelën e pagave. Në këtë kontekst të të gjitha shqetësimet e LSI-së gjetën në materializim në materialet e paraqitura në buxhetin e bashkisë Tiranës dhe për rrjedhojë ne e mbështetëm buxhetin bashkisë Tiranës”.

Por zhurma e bërë për mos kalimin e buxhetit të Tiranës gjatë tre muajve dhe më pas kalimi i tij i ka ndare qytetaret, të cilët e shohin këtë si një lojë të pastër politike.

“Po, është bërë zhurmë e madhe për buxhetin e Tiranës dhe di që mbrëmë është aprovuar. Këto janë marrëveshje politike”

“Për interesat e saj personale. Ato janë një parti, të majtë janë të tanë. Secili do karrigen e vet”.

“Ky veprim ishte i mrekullueshëm se kjo bëhet për të mirën e popullit. Më bëhet qefi që u aprovua”.

Pas zhurmës disa mujore, tashmë buxheti i Tiranës ka marrë formën ligjore dhe është gati për t’u përdorur nga bashkia për investimet publike të parashikuar për 2009./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami